Përmes një deklarate për mediat, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla tha se audio-përgjimi që ka publikuar PD ku implikohet vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është i stisur dhe se nuk ka pasur asnjë bisedë mes ‘Dëshmitarit X’ dhe Agron Xhafës.

Taulant Balla tha se sekuestrimi i sasisë rekord të kokainës në Durrës qe u kap pak kohe më parë ka lidhje me njerëz të rangut më të lartë në PD.

"Nuk ka patur bisedë mes Babales dhe vëllait të ministrit. Prokuroria të bëjë sa më shpejt ekspertizën sepse po rrezikohet autorësia e përgjimit dhe po ngelet jetim. Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë të rrezikshme me Babalen është futur nga Berisha dhe garipat e tij për një arsye që ka të bëjë me 613 kg kokainë te kapur ne Durres. Luli thotë e ka Babalja, ky thotë e ka gazetari dhe gazetari thotë se përgjegjësin e ka PD. Autorësia e përgjimit të ngelet jetim në prehrin e Saliut dhe me këtë histori Saliu po na del me tre djem, Shkëlzenin, Lulin dhe Babalen. Basha është i futur në një aventurë Don Kishoteske nga vetë Saliu për një përgjim, i cili duket ditën për diell që është një kasetë e stisur e një bisede që nuk ka ndodhur kurrë mes Babales dhe vëllait të ministrit. Ne e dimë që Basha në këtë aventurë është futur nga Berisha dhe garipat e tij, që tashmë e ka kuptuar që ne e dimë të vërtetën. Për t’i shkuar asaj deri në fund thirrja ime është ndaj Prokurorisë, që në mënyrë sa më të shpejtë dhe në kohë të shkurtër nga çdo laborator i çdo vendi partner të Shqipërisë, të bëjë ekspertizën dhe të nxjerrë përfundimin cili do qoftë ai. Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit"– tha Taulant Balla.