Kryetari i degës së PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferri, në një deklaratë për mediet, ka denoncuar sot një përplasje me armë që ka ndodhur dy net më parë në qytet.

Sipas Xhaferrit, është goditur me armë makina e Drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhave dhe njëherësh Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi.

Ngjarja ka ndodhur të hënën në lagjen nr.4, po është mbajtur e fshehur.“Drejtori i policisë së qarkut Durrës, rilindasi Lorenc Shehu, i ardhur jo për të vendosur rendin në qytet, por për të negociuar sherret e bandave të PS, e ka fshehur ngjarjen”, tha Xhaferri.

Më tej gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve të Durrësit, tha se Këshilli Bashkiak, është një këshill politikisht një ngjyrësh, por që është ndarë keqas midis klaneve të rilindjes, në luftën për abuzime dhe gllabërime, dhe që është për të ardhur keq dhe turp për nivelin ku ka arritur institucioni i bashkisë, kur kryetarja e bashkisë, në 2019-n, në mbledhje kërkon informacion për kontributet që ka në PS, sekretarja e sapo emëruar e Këshillit Bashkiak”.

“Durrësi sot nën drejtimin e rilindjes, është një qytet i vjedhur, një qytet i nëpërkembur, një qytet i braktisur. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, kur si asnjëherë më parë, të gjithë drejtuesit institucioneve kryesore vijnë nga Tirana.

Këtu fillojmë me:

1 Nën kryetaren e bashkisë Etleva Kondi ngaTirana

2 Drejtori i autoritetit portual Agron Tare nga Tirana

3 Drejtori i Drejtorisë detare Paulin Ndreu nga Tirana

4 Drejtoria Arsimore në nivel Qarku, Valentina Leka nga Elbasani

5 Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore për qytetin Erjeta Alhysa nga Tirana

6 Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit Ardit Tabaku nga Tirana

7 Drejtori i Agjencisë shtetërore të Kadastrës në Durrës, Arian Cengu nga Tirana

8 Drejtori i Doganës ne Durrës, Rubin Shehu i ardhur nga Tirana

9 Tek inspektoriati i Mjedisit Besart Meta nga Tirana

Të gjitha sa thamë, qartazi dëshmojnë se më 30 qershor kishim votime, por jo zgjidhje. Partia Demokratike si në nivel politikash dhe në nivel burimesh njerëzore po përgatitet për të adresuar me cilësinë e duhur problemet që kanë qytetarët”, deklaroi Xhaferri.

S.L.