Partia Demokratike pretendon se deklarata e KQZ në lidhje me transportimin e fletëve të votimit në Vaun e Dejës nuk qëndron.

Në një dalje për mediat, sekretari për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, deklaroi se në bazë të dokumentit zyrtar doganor, fletët e votimit kanë qenë në doganë në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor. Në deklaratën sqaruese të KQZ thuhet se materialet zgjedhore janë marrë nga punonjësit e KQZ në orën 02:15 dhe shpërndarja e fletëve të votimit kishte mbaruar në orën 6 të mëngjesit.

“Dokumenti zyrtar doganor provon se fletët e votimit kanë qenë akoma në doganë në orën 8 të mëngjesit të datës 30 Qershor, ndërsa votimi në Vaun e Dejës ishte deklaruar i hapur një orë më parë, në orën 7 të mëngjesit” tha Kaso.

Ai shtoi se pretendimi i KQZ-së se sistemi doganor nuk funksiononte gjatë transportimit në doganë të fletëve të votimit është një alibi për të mbuluar një krim elektoral.

“Dokumentat prodhohen sipas nevojave që ka Edi Rama për të mbuluar krimin elektoral të 30 Qershorit dhe refuzimin e tij nga shumica e shqiptarëve. Alibia qesharake e KQZ-së se natën e ardhjes së fletëve të votimit nuk ka punuar sistemi doganor, rrëzohet nga dokumenti zyrtar i dalë nga vetë sistemi i doganave, ku shkruhet se fletët e votimit në orën 8 të mëngjesit ishin akoma në doganë” shtoi Kaso.

Pretendimi tjetër ku bazon denoncimin e saj Partia Demokratike është në lidhje me porosinë e dhënë nga KQZ për prodhimin e fletëve të votimit. Sipas asaj që deklaroi zëdhënësja e KQZ, fletët e votimit janë porositur në datë 27 qershor dhe janë prodhuar paraditen e datës 28 qershor.

“Pas djegies së KZAZ në datën 27.06.2019, KQZ ka kontaktuar me kompaninë sllovene për të prodhuar sërish fletët e votimit për KZAZ-në nr. 6, dhe fletët e votimit janë prodhuar paraditen e datës 28.06.2019” thuhet në deklaratën e KQZ.

Ndërkohë, sekretari i PD për çështjet zgjedhore bëri publik dokumentin zyrtar të KQZ mbi vendimin e saj për prodhimin e materialeve të reja zgjedhore. Ky vendim është i datës 28 qershor është marrë në orën 18:00.

“Ky është vendimi i KQZ-së i datës 28 Qershor, sipas të cilit urdhri për prodhimin e fletëve të reja të votimit për Vaun e Dejës është marrë në orën 6 të pasdites. Ky vendim i KQZ-së është marrë në një mbledhje publike dhe është pasqyruar gjerësisht nga media. Kjo do të thotë se askush nuk mund të urdhëronte prodhimin e asnjë flete votimi pa patur më parë një vendim nga KQZ-ja” deklaroi Kaso.

Mbi këtë mospërputhje ai tha se anëtarëve të KQZ duhet të pranojnë se “ose janë duke mashtruar, ose kanë shpërdoruar në mënyrë flagrante detyrën”.