Partia Demokratike paditi në SPAK kryeministrin Edi Rama për 4 vepra penale, në lidhje me zgjedhjet.

Në themel të padisë qëndron kërcënimi dhe shantazhimi i Ramës, sipas PD-së, për të punësuarit në arsim dhe shëndetësi përmes portaleve “Mësues për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

Për Partinë Demokratike, Edi Rama ka konsumuar 4 vepra penale, për te cilat i kërkon SPAK të hapë hetim:

• Shpërdorimi i detyrës
• Korrupsion aktiv në zgjedhje
• Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
• Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

“Me këtë veprim, vetë Kryeministri jo vetëm që ka cenuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha ka konsumuar një sërë veprash të rënda penale, pasojat e së cilave ndikojnë drejtpërsëdrejti në rezultatin e zgjedhjeve”, thuhet në padinë e PD, që i kërkon SPAK veprime të shpejta e konkrete, me qëllim parandalimin e mëtejshëm të pasojave të këtij krimi elektoral dhe venien para përgjegjësisë të autorit të këtyre veprave penale.