Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili pritet të betohet ditët në vijim ka reaguar pas akuzave të PD-së. Kjo e fundit sot me anë të sekretarit të përgjithshëm, Gazment Bardhi deklaroi se Pjetri rezulton i dënuar në Firence në vitin 2003.

Ai thotë se të vërtetën e tij e ka deklaruar para pak ditësh me dokumente zyrtare, ndërsa thotë që pret me padurim verifikimin zyrtar nga strukturat ligjore në vendin tonë dhe në shtetin fqinj.

Sipas tij, e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo ajo që del nga foltoret e Partisë Demokratike.

“Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumenta zyrtare.E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjensive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteve zyrtare shqiptare dhe italiane”, shkruan ai.