Tiranë, 5 gusht 2014– Partia Demokratike ka denoncuar edhe sot atë që ajo e quan heshtja e kryeministrit Rama për denoncimin e bërë nga opozita për elementët e inkriminuar që kreu i ekzekutivit ka futur në parlament nën siglën e partisë së tij.

Sipas deputetit demokrat Helidon Bushati “Asnjë fjalë nuk del nga goja e Edi Ramës, edhe pse ishte ai që kërkoi një emër, që kërkoi prova për inkrimimin e parlamentit. Asnjë fjalë sigurisht, se Edi Rama i hapi portat e parlamentit personit të dënuar për vepra të rënda penalë, duke mënjanuar dhunshëm nga lista e deputetëve, dy kandidatet gra. Cdo ditë, qytetarët e vendit, ata që votuan rilindjen, e presin një sqarim nga Kryeministri. Votuan rilindjen, apo rilindjen dhe ngritjen në maja, të krimit?”

 

Deklarata e plotë e deputetit Helidon Bushati

26 ditë më parë, me urdhër të Edi Ramës u dhunua opozita brenda në Kuvendin e Shqipërisë,  dhe sot, pas 26 ditësh, Edi Rama nuk ka gjetur asnjë minutë kohë të mbajë një qëndrim.

Prej kaq ditësh, i madh e i vogël, mësuan me prova dhe dokumenta, se kush janë instrumentat e dhunës që përdor Edi Rama në përpjekjen për t’i mbyllur gojën opozitës.

7 vjet burg, për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi. Kjo është çertifikata e deputetit Arben Ndoka, që godet dhe kërcënon me jetë përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

Asnjë fjalë nuk del nga goja e Edi Ramës, edhe pse ishte ai që kërkoi një emër, që kërkoi prova për inkrimimin e parlamentit.

Asnjë fjalë sigurisht, se Edi Rama i hapi portat e parlamentit personit të dënuar për vepra të rënda penalë, duke mënjanuar dhunshëm nga lista e deputetëve, dy kandidatet gra.

Cdo ditë, qytetarët e vendit, ata që votuan rilindjen, e presin një sqarim nga Kryeministri. Votuan rilindjen, apo rilindjen dhe ngritjen në maja, të krimit?

Por Edi Rama hesht, dhe bën të paditurin.

Partia Demokratike do të denoncojë cdo ditë, aleancën kriminale të Edi Ramës, dhe gjithë aferat e tjera që është duke bërë në parlament e kudo me këtë aleancë me krimin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/