Deputetja e PDIU-së në qarkun e Dibrës, Reme Lala, deklaroi sot zyrtarisht kalimin në Partinë Socialiste.

Lala, deputetja që fitoi mandatin me PDIU-në por që gjithmonë nuk e ka fshehur simpatinë për kryeministrin Edi Rama dhe PS-në, ka deklaruar sot bashkimin e saj me maxhorancën.

Në takimin e kryeministrit Edi Rama në Peshkopi, Lala ka mbajtur një fjalim relativisht të gjatë ku nuk i ka kursyer elozhetë për shefin e qeverisë, ministrat Xhaçka dhe Gjiknuri dhe në fund deklaroi se do i bashkohet ‘më të mirëve’, PS-së.

“Gjithmonë zemrën peshë ke për të na e mbajtur me këto surpriza zoti Kryeministër. Kjo është rruga e ëndrrës së çdo dibrani. Gëzimi i madh sot edhe për Dibrën e Madhe, ne këtej dhe vëllezërit e motrat tona andej kufirit. Në këtë shesh ku jemi sot, në çdo fushatë të çdo partie rruga e Arbrit ka qenë kryefjala e premtimeve dhe pas çdo zgjedhjeve kryefjala e zhgënjimeve. Faleminderit Edi Rama se ma shpëtove mandatin. Por përtej shakasë bravo të qoftë se përsa i përket Dibrës, i shpëtove nderin politikës, qeverisë dhe vetes”, tha ajo duke përshëndetur fillimin e punimeve për “Rrugën e Arbrit”.

Unë dua të bashkohem me më të mirat dhe të mirët, me PS-në që nuk është më e mira por më të mirë nuk kemi parë”, deklaroi Lala.

Madje ajo shtoi se edhe Elena Xhina, deputete e Elbasanit, e pranishme në aktivitet, ka vendosur t’i bashkohet Partisë Socialiste.