Në seancën e një jave më parë Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të thërrasë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha për të dëshmuar se çfarë ai dinte për kërcënimin që Emiljano Shullazi i ka bërë rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Berisha do të ishte në seancën e djeshme së bashku me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, rektorin Mynyr Koni dhe ish-rektorin, Dhori Kule.

Por ish-kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme.

Burime pranë ish-kryeministrit bëjnë të ditur për Panorama Online se arsyeja e mungesës në seancë ishte për faktin se në adresë të Berishës nuk ka ardhur asnjë fletë-thirrje nga gjykata për ta ftuar për të dëshmuar.

Sipas këtyre burimeve, në mungesë të fletë-thirrjes, Berisha nuk mund të paraqitej në seancën e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ish-kreu i qeverisë ishte i pari që deklaroi publikisht se Mynyr Koni ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi në mes të garës për rektor të Universitetit të Tiranës.