Në ceremoninë e kalimit të pushteteve nga Ditmir Bushati, tek Rama dhe më pas tek Gent Cakaj pati dy gjëra që tërhoqën vëmendjen. E para që Lider Maximus mbajti atë që e konsideroi si fjalimin më të shkurtër të karierës së tij. Dhe e dyta se ai hoqi dorë nga ideja fillestare për të mbajtur një fjalim të plotë, ashtu sikurse bën zakonisht. Burime brenda stafit të ministrisë së Jashme që pohuan për Lapsi.al se kryeministri kishte konfirmuar paraprakisht një fjalë të plotë, I’a atribuan ndryshimin e axhendës disa frazave plot thumba të Ditmir Bushatit. Ish shefi i diplomacisë renditi një sërë suksesesh që ishin arritur nën drejtimin e tij këto 5 vjet, sa dukej sikur e zhvlerësoi aktin e shkarkimit nga shefi i tij duke e konsideruar atë të papërligjur.

Fraza që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe që e bëri kryeministrin të thartohej në fytyrë ishte ajo që gjendej në fund të fjalimit të ish ministrit të jashtëm: “Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas” tha Bushati, duke lënë të kuptohet se në drejtimin e Gent Cakës është vështirë të arrihen rezultatet e deritanishme dhe sidomos ruajtja e tërësisë teritoriale të Kosovës, e cila është përfolur si shkaku real i shkarkimit të Ditmir Bushatit.

Arsyeja e dytë se përse Rama qëndroi i heshtur, duke mbajtur atë që e quajti fjalimin më të shkurtër të karierës së tij, shpjegohet me faktin se ai, duke qenë i ndërgjegjshëm për shkeljen që po bënte, donte të linte sa më pak gjurmë. Jo vetëm në Shqipëri, por në asnjë vend të civilizuar të globit, nuk njihet precedenti i kalimit të pushtetit nga ministri i larguar, tek ai i sapo emëruar dhe delegimi i atypëratyshëm kësaj detyre tek një person i tretë i cili po konsiderohet drejtues “de jure” i diplomacisë shqiptare.

Rama ishte i ndërgjegjshëm se as me kushtetutë dhe ligj shqiptar, e aq më pak me konventën e Viennës një akt i tillë nuk mund të kryhet.

Prandaj ai foli këtë të mërkurë më pak se kurrë.

/Lapsi.al/