Përplasje të forta mes gazetarëve dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit lidhur me transmetimin e kryeministrit Edi Rama gjatë ditëve të tërmetit të 26 nëntorit. Moderatorja e emisionit, Eni Vasili nuk i ka duruar akuzat e Kryemadhit, duke i kujtuar numrin e herëve që e kishte marrë në telefon për ta ftuar në emisionin e saj. Kryemadhi i është kundërpërgjigjur duke e quajtur se emisionet në Shqipëri bënin qoka ndaj kryeministrit. Jashtë debatit nuk ka qëndruar as moderatori tjetër i “Top Channel” Alban Dudushi, i cili gjithashtu është përplasur me Kryemadhin.

DEBATI:

Monika Kryemadhi: Bëni propagandën e Edi Ramës

Eni Vasili: Është budallallëk me brirë. Sa herë ju kam ftuar gjatë gjithë këtyre ditëve

Monika Kryemadhi: Sa e ndershme je ti ndaj këtyre ftesave?

Eni Vasili: Të dalë Basha që të thotë sa herë e kam ftuar? Pse quhet qokë kur ju nuk vini? Më thuaj pse nuk jam e ndershme?

Monika Kryemadhi: Nuk je e ndershme në parim

Eni Vasili: Po pse pra? Ne gazetarët dalim fajtorë. Si akuzon ti?

Alban Dudushi: Eksperte e tërmeteve u bëre, eksperte e gazetarisë u bërë

Monika Kryemadhi: Mos më thuaj që ti nuk bën qoka

Alban Dudushi: Ma thuaj një

Monika Kryemadhi: Takimin e studentëve

Alban Dudushi: Mos thuaj qoka kur e di mirë se si është gatuar kuzhina. I keni kërcënuar

Monika Kryemadhi: Po të kishim kërcënuar njëri ne do të na kishte arrestuar Sandër Lleshaj

Eni Vasili: Ne iu ftojmë në shtëpi dhe ju derdhni kupën. Kanë rrezikuar jetën gazetarët e Topit, ju na akuzoni për qoka.

Alban Dudushi: Ku ishe gjatë këtyre ditëve

Monika Kryemadhi: Në terren isha. Kur të mbaroj emisionin do të ta tregoj. Tek ato familjet që janë zhdukur të tëra.