Presidenti Ilir Meta ka vizituar mbrëmjen e kaluar aktivistin e Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit pas plagosjes me armë brenda zyrës elektorale në Kavajë.

Përmes një postimi në Facebook, Meta iu bën thirrje Prokurorisë dhe Policisë, që ky krim i shëmtuar zgjedhor të hetohet me shpejtësi, si dhe autorët e urdhëruesit e këtij atentati të arrestohen pa vonesë dhe të dalin para drejtësisë.

Nuk mund të mos vizitoja në spitalin e Durrësit aktivistin e Partisë Demokratike, z.Bledar Okshtuni, të plagosur me armë…

Posted by Ilir Meta on Monday, April 19, 2021

Ndërkohëm në një prononcim për medien jashtë dyerve të spitalit, pak pas mesnatës së 19 prillit, Kreu i Shtetit tha se ngjarja është provokim nga shtabi electoral i Rilindjes në Kavajë me qëllim që të frikësojë opozitën.

“I plagosur pabesisht dhe në mënyrën më provokuese nga militantë të Rilindjes dhe drejtorë të bashkisë së Kavajës. Për fat të mirë ai është jashtë rrezikut për jetën dhe brenda pak ditësh do e kalojë këtë situatë. Kërkoj nga policia e prokuroria të veprojnë menjëherë duke vënë para përgjegjësisë jo vetëm autorin por dhe grupin e strukturuar që ndërmori një provokim, siç do konfirmohet në ditët në vijim është organizuar nga shtabi electoral i Rilindjes në Kavajë dhe nuk është i rastësishëm. Ajo që ka ndodhur në Kavajë duhet të jetë  ngjarja e fundit e dhunshme kriminale dhe që derdhet gjak shqiptari të pafajshëm për llogari elektorale të rilindjes dhe frikësimin e opozitës.”

Meta përsëriti apelin për të reflektuar para se të jetë vonë. Ndërsa i uroi shërim të shpejtë të plagosurit i bëri thirrje drejtësisë të zbardhë ngjarjen.

“Çdo përpjekje për të pëshkallëzuar dhunën mund të jetë fatale për ata që e shkaktojnë atë. Rendi Kushtetues do vendoset me 25 prill. Regjimi i patronazhit, spiunimit dhe shantazhit ka cofur njëherë e përgjithmonë. Shqiptarët nuk duhet të vriten me shqiptarët për llogari të atyre që kanë frikë nga drejtësia. Drejtësia duhet të veprojë urgjentisht. Çdo mosveprim i ngarkon me përgjegjësi të rëndë jo vetëm për këtë rast por dhe raste të reja për çdo tensionim të mundshëm të situatës që kurrsesi nuk e dëshirojmë”, tha Meta.