Në të dielën e tretë kur gjithçka është mbyllur dhe nuk lejohet dalja, kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një mesazh shoqëruar me një video ku shfaqen bukuritë e Shqipërisë, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “Moj e bukura Shqipëri”, e kënduar nga Vaçe Zela.

“Do të kalojë edhe kjo nuk është fundi i botës”, thuhet në mesazhin e kreut të qeverisë, por kjo sëkëlldi e pashoqe, shton ai, na kujton se pleqtë e paskan pasur mirë kur thonë shëndeti mbi të gjitha.

Mesazhi në videon e postuar nga kryeministri Edi Rama

A nuk fshihet një mesazh i fortë shpirtëror pas gjithçkaje që ndodh?

A nuk po na kujton kjo luftë botërore se jemi të gjithë të barabartë, që kufijtë, pasuritë, dallimet mes vendeve dhe njerëzve mund t’i fshijë e padukshmja që e harrojmë në të përditshmen tonë?

A nuk po na kujton kjo sëkëlldi e pashoqe se pleqtë e paskan pasur mirë kur thonë shëndeti mbi të gjitha dhe se jeta qenka e shkurtër vërtetë për t’u rendur duke u shtyrë me njëri tjetrin?

A nuk po na kujton kjo ëndërr me sy hapur se sa shumë jemi zhytur në vorbullën e së përditshmes duke harruar shtëpinë e familjen?

A nuk po na kujton kjo pengmarrje kolektive se çfarë shije ka vendi ku jemi lindur dhe jemi të lidhur nga fati si një familje?

A nuk po na kujton kjo periudhë e pashoqe veçimi se njëri pa tjetrin nuk bën dot dhe sa më shumë të ndihmojmë të tjerët aq më shumë kemi ndihmuar dhe veten?

Do të kalojë edhe kjo nuk është fundi i botës, po botës i ka ardhur një armik i padukshëm i njerëzimit dhe pas kësaj vuajtje vjen lehtësimi. Le të urojmë se cfarë na kujtohet sot të mos e harrojmë përsëri nesër