DURRËS, 17 nëntor 2014Ndonëse afati i famshëm 6-mujor, që djeg mandatet e deputetëve bojkotues të Kuvendit, është ende larg, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i partisë më të madhe në opozitë, po shkon me shpejtësi drejt shthurjes dhe shpërbërjes. Izolimi dhe ndrydhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për të forcuar pozitat e Lulim Bashës në SHQUP, për të theksuar profilin e tij si dhe për të krijuar një tension të rremë politik në vend, po i kthehet në bumerang Sali Berishës, kryetarit defakto të SHQUP, i cili po e kontrollon PD nëpërmjet dhëndrit, të birit dhe Bashës. Kushtrimi për opozitë rruge, guerile dhe mërgimi, pasuar me kapjen graduale të të gjitha forumeve të larta drejtuese të Partisë Demokratike dhe me izolimin paprecedentë të grupit parlamentar, në vend që të forconte pozitat e Bashës, ka prodhuar të kundërtën. Deri më tani, zyrtarisht, linja destruktive e dyshes Berisha-Basha ka prodhuar vetëm largime, tensione dhe përplasje. Por, sipas burimeve të gazetës “SOT”, ndërsa Basha nuk ka demostruar asnjë shenjë tërheqje dhe reflektimi përballë thirrjeve për t’i dhënë fund bojkotit absurd, katër deputetë të Partisë Demokratike janë gati të largohen nga grupi parlamentar dhe t’i japin fund bojkotit, për t’u afruar ndoshta me mazhorancën qeverisëse. 

Të vetëdijshëm se nuk do të jenë më në listat e zgjedhjeve parlamentare të 2017 dhe se po përdoren për interesa politike, katër deputetët pritet të shpallin largimin në ditën në vijim. Gjithçka pritet të zyrtarizohet pas formalizimit të zgjedhjes së drejtuesve të rinj të 22 departamenteve dhe 6 sekretariateve. Sinjalet e shthurjes së grupit të PD janë të qarta. Kritikat, nervozimi, ndjenja e poshtërimit dhe e përdorimit politik, të shprehura fillimisht nëpër tavolina, tashmë po shprehen publikisht. Thirrja për t’i dhënë fund bojkotit janë intensifikuar, ndërsa mungojnë akuzat në adresë të Lulzim Bashës. Aktualisht, grupi parlamentar i Partisë Demokratike po kalon ditët më të zeza politike. Pas prerjes së marrëdhënieve me Kuvendin dhe median, Lulzim Basha u ka ndërprerë kontaktet e grupit parlamentar edhe me bazën. Rolin e deputetëve e ka zëvendësuar gradualisht me kryetarët e degëve të PD dhe koordinatorët.  

 Deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur turin e ri të Lulzim Bashës, nëpër qendra të ndryshme urbane të Shqipërisë, në funksion të protestës së 22 nëntorit. Ligjvënësit demokratë nuk janë parë të shoqërojnë kryetarin Basha në takime me banorë të qyteteve të ndryshme, për të dëgjuar shqetësimet lidhur me aksionet e qeverisë “Rama”. Shumica e grupit parlamentar demokrat ka braktisur edhe komisionet paralele që dy bashkëkryetarët e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë ngritur në SHQUP. Madje, deputetët e identifikuar si kundërshtar të linjës së familjes, prej disa muajsh nuk janë parë pranë selisë së PD. Shkak për këtë hendek të thellë është edhe vendimi për të pezulluar pa afat mbledhjet e grupit parlamentar demokrat, pas mbledhjes së disa muajve më parë, ku bojkoti u kthye në mollë sherri mes deputetëve dhe Bashës. 

Lulzim Basha ka zgjeruar kontrollin mbi Partinë Demokratike, ndërsa ka zbehur më tej influencat dhe roli i elitës së vjetër në partinë më të madhe në opozitë. Pas vdekjes misterioze të Sokol Olldashit, i identifikuar si rreziku më potencial për pozitat e brishta të Lulzim Bashës në PD, ky i fundit ka ndërmarrë katër ofensiva kundër grupeve kundërshtare në Partinë Demokratike. Fillimisht, përmes një procesi tejet të dyshimtë dhe të kontestuar në masë, Basha arriti të diktojë njerëzit e tij të besuar në shumicën dërmuese të degëve të Partisë Demokratike në rrethe dhe Tiranë. Disa muaj më pas, po përmes një procesi të dyshimtë dhe të kontestuar si i manipuluar, Basha arriri të mbyllë listën e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, duke marrë nën kontroll një prej forumeve më të rëndësishme të Partisë Demokratike. Ditët e fundit,  Basha prezantoi koordinatorët kombëtarë të Partisë Demokratike, duke vlerësuar angazhimin e tyre në partinë që ai drejton.    

  Tre janë sot protagonistët kryesorë në media të opozitës shqiptar: Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha dhe dhëndri i familjes, Jamarbër Malltezi.

 Partia Demokratike, është më shumë se kurrë, nën kthetrat e hijen e plotë të familjes. Kryetari hije i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tashmë duket se e ka kryer misionin, duke iu kaluar stafetën Jamarbërit dhe Shkëlzenit, të cilët sëbashku me Berishën dhe Shkëlzenin, janë në ballë të sulmeve ndaj mazhorancës. I caktuar, me sa duket, kryetar provizor i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvendoset gradualisht në plan të dytë, ndërsa vendin e tij po e zë Jamarbër Malltezi, i piketuar edhe si kryetari i ardhshëm. Pas katapultimit në Këshillin Kombëtare të PD si dhe pas kushtimit të Berishës se dyer e partisë janë të hapur për familjarët e tij, Jamarbëri ka nisur edhe daljet në media në emër të Partisë Demokratike. Paralel me daljes e shpeshta të Jamarbërit në media dhe fushatën për promovimin e tij si lider i ardhshëm, një fushatë ka nisur edhe i biri i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha.

/Gazeta”Sot”/