Partia Demokratike ka tërhequr dje ministrat e saj teknikë. Vendimi është marrë nga selia blu, ndërsa zv.kryeministrja Ledina Mandija dhe gjashtë ministrat teknikë të Partisë Demokratike do të dorëzojnë sot në Kryeministri tekstin e dorëheqjes.

Burime nga selia e Partisë Demokratike thanë se dorëheqjet do të depozitohen (sot) për shkak se zyra e protokollit në Kryeministri ka qenë e mbyllur dje pas orës 16:00. Nuk dihet nëse pas dorëzimit të kërkesës për dorëheqje, ministrat teknikë të Partisë Demokratike do të largohen menjëherë nga detyra apo do të qëndrojnë deri në formimin e qeverisë së re në muajin shtator.

Kushtetuta kërkon që ata të qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e ministrit zëvendësues. “Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës”, thuhet në nenin 106 të Kushtetutës. Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i Kryeministrit Rama për këto dorëheqje.

Zv.kryeministrja Ledina Mandija, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ministrja e Financave Helga Vukaj, ministrja e Arsimit Mirela Karabina, ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ministria e Mirëqenies Sociale Xhulieta Kërtusha dhe ministri i Shëndetësisë Arben Beqiri morën detyrën menjëherë pas marrëveshjes politike Rama-Basha në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.

Vetë Kryeministri Rama ishte shprehur se ata do të qëndronin në detyrë deri në përfundim të zgjedhjeve, ndërsa ata qëndruan afërsisht tre muaj në këtë detyrë. Madje, sipas Kryeministrit, ata nuk do të kishin asnjë funksion ekzekutiv përveç vëzhgimit të administratës publike në zgjedhje.

“Ata do të jenë kujdestarë, s’do të bëjnë as tenderë, as emërime. Administrata të mos kthehet në një instrument abuziv. U bë kështu për 30 ditët e fushatës. Se çfarë do të ndodhë mbrapa, këtë do ta vendosin shqiptarët”, u shpreh Kryeministri Rama gjatë fushatës.

DELEGIMET
Në fakt, dorëheqjet e tyre ishin paralajmëruar pak ditë më parë kur disa ministra u kishin deleguar kompetencat e tyre zv.ministrave, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe drejtorëve të përgjithshëm për të vijuar procedurat e prokurimeve apo pagesave që bënin ministritë. Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, dhe ministrja e Financave, Helga Vukaj, deleguan kompetencat e tyre te zëvendësministrat.

Ministrja e Financave, Helga Vukaj, e ka nisur delegimin e kompetencave te zëvendësministri Erion Luçi që më datë 3 gusht dhe pritet t’i rimarrë këto detyra deri më datë 18 gusht. Kurse ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i ka deleguar kompetencat te zëvendësministrja Rovena Voda nga data 7 gusht deri më datë 25 gusht, ku pritet të ketë po të njëjtat funksione.

Qëndrimi në detyrë i ministrave të Partisë Demokratike pas ngritjes së akuzave të opozitës për blerje masive të votës, nxiti një debat të brendshëm. Astrit Patozi, por dhe aleatët e PD-së, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi i kërkuan Lulzim Bashës të tërheqë ministrat teknikë nga qeveria.

“Basha duhet urgjentisht të shkëpusë çdo lidhje që ka me Ramën nëpërmjet prezencës së ministrave teknikë, kjo e bën opozitën të papranueshme, qesharake dhe komprometuese. Sado i drejtë të jetë argumenti për të ndërtuar një raport për zgjedhjet, ata mund ta kryejnë këtë punë duke mos qenë ministra, në bashkëpunim me strukturat që u morën me zgjedhjet në 12 qarqet apo pranë çdo kandidati”, u shpreh Mediu./panorama/