Presidenca i është përgjigjur kryeministrit Rama lidhur me çështjen e nënshtetësisë së futbollistit afrikan Winnful Essua Joseph Cobbina.

Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi e konsideron Ramën si frymëzues të sulmeve kundër skuadrës së Tiranës.

Më herët, Kryeministri Rama e cilësoi një gol me kokë dhënien e nënshtetësisë nga Meta, ndërkohë që futbollisti ishte nën hetim për falsifikim të lejes së qëndrimit.

“Nuk kishim asnjë dyshim! Buburreci Trendi e pranoi më në fund se ai është frymëzuesi dhe autori i vetëm i sulmeve më të ndyra dhe antikombëtare kundër ekipit të FK Tirana, tifozëve të mrekullueshëm dhe komunitetit të nderuar autokton tironas, të cilësuar prej tij dhe portaleve të tij, si “terroristë”.

Urrejtjen tënde për Tironën dhe ngjyrat bardhë e blu nuk ka për të ta amnistuar kush, bashkë me zullumet e tjera të tuat, për të cilat sigurisht do përgjigjesh një ditë.

Sa për pastërtinë e figurës së futbollistit të Tironës, pengu i mafies së inceneratorëve, i kapur tashmë në flagrancë, bën mirë të pyesë në institucionin e sigurisë kombëtare, që nëse na jep leje jemi gati ta publikojmë ne se çfarë thotë për “terroristin” bardhë e blu!

ORA E PËRBALLJES PO AFRON! Sosi uji i gamiles tënde Mister 1 Prilli!”, shkruan Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit në një publikim në Facebook.