Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një takim me strukturat e partisë së tij në Shkodër ka deklaruar se kjo forcë do të ketë deputetin e saj në këtë qark.

Ndërsa ka analizuar situatën në vend dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas tij me qëllim për të manipuluar zgjedhjet, Mediu theksoi se Kreu i Shtetit, Ilir Meta duhet të shpërndajë Parlamentin, nëse “parlamenti nuk merr në konsideratë dekretin e tij për kthimin e ndryshimeve të njëanshme të kodit elektoral të bëra nga Rama duke shkatërruar konsensusin e 5 qershorit dhe standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

“Presidenti i Republikës duhet të shpërndajë parlamentin nëse parlamenti nuk merr në konsideratë dekretin e tij për kthimin e ndryshimeve të njëanshme të kodit elektoral të bëra nga Rama duke shkatërruar konsensusin e 5 qershorit dhe standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Presidenti ka bërë në mënyrë publike dhe të përsëritur qëndrimin se do shpërndajë parlamentin nëse do të cenohet kushtetuta dhe standardet e zgjedhjeve, në respekt të detyrimit të tij.

I kam kërkuar opozitës dhe e përsëris qe opozita dhe veçanërisht PD duhet t’ja kërkojë Metës të marrë një vendim të tillë”, tha Mediu.

Më tej Mediu deklaroi se është koha e të djathtës dhe ajo duhet të bashkohet me shqiptarët për të ecur para në rrugën europiane dhe kundër regjimit të korruptuar të Ramës.