Një javë pas komisionerit për zgjerimin, Shqipërinë e viziton sot Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Ai do të takojë kryeministrin Rama dhe më tej do të udhëtojë drejt Shkupit. Vizita e Michel në Shqipëri vjen para zhvillimit të konferencës së Donatorëve për Shqipërinë dhe vendimit për negociatat.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Siç konfirmohet edhe nga axhenda zyrtare, kreu i Këshillit Michel, do të takohet në orën 12:50 me kryeministrin Edi Rama dhe më pas të dy zyrtarët do të kenë një konferencë për shtyp.

Kjo vizitë e kreut të Këshillit vjen një javë pas asaj të Komisionarit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Takimi i ardhshëm i Këshillit Europian, ku pritet edhe një vendimmarrje për negociatat zhvillohet më 26 dhe 27 mars. Më tej gjatë vitit në muajin maj do të zhvillohet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb të Kroacisë.