Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar me gradën madhore “Gjeneral Major” për Gjeneral Brigade Bajram Rushit Begaj, me detyrë “Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes”.

Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë.

Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.

Ndërkohë, gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer: “Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen”, në Shqipëri;  “Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë”, në Shqipëri;  “Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji”, në Shqipëri;  “Kursin e menaxhimit spitalor” dhe “Kursin e lidershipit mjekësor strategjik”, në SHBA;  “Specializimin në fushën e mjekësisë” dhe “Kursin e Shëndetësisë”, në Greqi.

Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai ka kryer detyra të ndryshme si: Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.