Presidenti Meta u prit nga nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, Andon Jani, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor si dhe nga dhjetra banorë të minoritetit maqedonas, të cilët i uruan mirëseardhjen dhe e falenderuan për mbështetjen e përkrahjen e tij të vazhdueshme.

Nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, Andon Jani dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak, Irena Vasilovski, e falenderuan Metën për vëmendjen e treguar ndaj minoritetit maqedonas dhe e njohën me disa nga problemet që shqetësojnë banorët e zonës.

Në bashkëbisedim me ta, Presidenti tha se "vëmendja ime ndaj minoritetit maqedonas do të jetë çdo ditë gjatë mandatit tim. Ne krenohemi me vlerat e minoritetit maqedonas, i cili është një pasuri për Shqipërinë. Ju garantoj se do bëj çmos dhe do mbështes të gjitha përpjekjet tuaja për ruajtjen e identitetit, traditave dhe vlerave tuaja të shkëlqyera. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë që Bashkia e Pustecit të jetë ndër më të begatat."

Presidenti theksoi gjithashtu se "në kuadrin e Vitit të rëndësishëm mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ramë dakord, bashkë me përfaqësuesit e Bashkisë së Pustecit të vlerësojmë disa nga ngjarjet dhe personalitet më të rëndësishme historike të kësaj zone, sikundër është edhe shkrimtari i njohur, Sterjo Spasse, biri i komunitetit maqedonas".

Më pas Presidenti Meta dhe autoritetet vendore vizituan Kishën e Shën e Kryengjëllit Mihail në Pustec, nga ku kryetari i shtetit uroi minoritetin maqedonas për festën e Shën Naumit dhe të Krishtlindjeve, që ky komunitet i feston me kalenderin e vjetër ortodoks.