Gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp, presidenti Ilir Meta ka bërë me dije se do të bëjë të hënën kallëzim penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani.

Kreu i Shtetit e akuzon kreun e KLD për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.

"Së pari jam i gëzuar për fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, dëshiroj t’ju bëj të ditur vendimin tim si President i Republikës dhe Kryetar i Shtetit për të paraqitur ditën e hënë kallëzim penal si pPresident i Republikës kundër zotit Ardian Dvorani me detyrë kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me adresë Gjykata e Lartë Tiranë. Unë president i Republikës dhe Kryetar i Shtetit akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale: shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore. Baza ligjore Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Të nderuar zonja dhe zotërinj prokurorë, Presidenti i Republikës në cilësinë e Kreut të Shtetit, sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe organet në sistemin në drejtësi ka ndjekur procesin e funksionimit të reformës në drejtësi. Presidenti në vijimësi ka bërë thirrje kundrejt të gjithë institucioneve të përfshira në proces në respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit", deklaroi Meta.