Pas konferencës në Berlin të kryeministrit Edi Rama me Kancelaren Angela Merkel, e cila shprehu angazhimin e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë, ka reaguar Presidenti Ilir Meta.

Përmes një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit përshëndet angazhimin e Merkel ndërsa shkruan se harta e 9 kushteve të Bundestagut është më e sigurta e rrugës europiane të Shqipërisë.

“Përshëndes angazhimin e përsëritur të Kancelares Angela Merkel për çeljen e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë!”, shkruan ai krahas fotos së Ramës me Merkel.