Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në vijim të vizitës zyrtare në Itali u takua edhe me Kryetarin e Grupit parlamentar italian të Miqësisë me Shqipërinë, Senatorin Salvatore Margiotta dhe anëtarë të këtij grupi.

Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vyer që Italia dhe Parlamenti italian i kanë dhënë procesit të integrimit evropian, si dhe shprehu besimin se Grupi parlamentar italian i Miqësisë me Shqipërinë do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë fazë për të mbështetur vendimarrjen për hapjen e negociatave të aderimimt për në Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta e Senatori Margiotta theksuan rëndësinë që parlamentet e të dy vendeve, me iniciativë të Grupeve parlamentare të Miqësisë, të hartojnë një agjendë të përbashkët pune e aktivitetesh në funksion të nxitjes së mëtejshme, jo vetëm të bashkëpunimimt parlamentar edhe të ndërmarrjes së nismave parlametare, por edhe të lehtësimimt të kontakteve mes njerëzve të fushave të ndryshme; kulturës, artit, biznesit.

Presidenti Meta theksoi nevojën e arritjes së një marrëveshjeje dypalëshe që do të mund të adresojë sigurimet shoqërore dhe vlerësojë kontributet individuale në këtë drejtim, si dhe nënvizoi çështjen e integrimit dhe të gjithëpërfshirjes së drejtë të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali dhe familjarëve të tyre, kontributin e tyre në ekonominë italiane dhe rëndësinë e mbështetjes së promovimit të komunitetit arbëresh si një urë e fortë e miqësisë mes dy vendeve.