Tiranë, 15 qershor 2014 – Dymbëdhjetë deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të mbështetur edhe nga disa deputetë të Partisë Socialiste, përkatësisht anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kërkojnë “kokën” e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Deputetët e LSI dhe PS do t’i kërkojnë zyrtarisht kryeministrit Edi Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ky i fundit, i identifikuar si delja e zezë, kostoja më e rëndë dhe njolla e parë e qeverisë “Rama”, akuzohet nga deputetët për arrogancë, prepotencë, për emërime nepotike në Ministrinë e Brendshme, për fenomenin e “grupit Tepelena” si dhe për ekspozim ndaj trafiqeve të drogës.

Gazeta “SOT” ka paralajmëruar prej kohësh pakënaqësinë në rritje të deputetëve të Partisë Socialiste ndaj Sajmir Tahirit, për shkak të emërimeve dhe raporteve të tij konfliktuale me deputetët. Por, kërkesa e 12 deputetëve të LSI ishte një befasi. Lajmi është konfirmuar publikisht nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli. Ai tha se 12 deputetë të LSI janë të vendosur të largojnë një ministër të qeverisë Rama.

Fillimisht u përfol se bëhej fjalë për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, por, gazeta “SOT” mundi të mësojë se emri i ministrit, është Sajmir Tahiri. Kjo kërkesë mund të konsiderohet si divergjenca e parë zyrtare midis dy aktorëve kryesorë të koalicionit qeverisës, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Largimi demonstrativ i Ilir Metës nga festa e Partisë Socialiste, pas vonesës 50-minutëshe të Edi Ramës, fsheh diçka më të madhe, që vlon prej disa javësh mes dy partive në pushtet. Dhe gjithçka doli në pah dje pasdite.

Tashmë LSI, e mbështetur edhe nga deputetë të PS kërkon kokën e Sajmir Tahirit. Në këtë kuadër, koka e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, do të vërë në provë edhe koalicionin PS-LSI. Me interes të madh pritet edhe përgjigja e kryeministrit Edi Rama.   

Deklarata e Kadelit   

Deputeti i LSI, Gjovalin Kadeli ka pohuar dje se 12 deputetë të LSI do t’i kërkojnë Edi Ramës shkarkimin e një ministri. “Deputetët e LSI së shpejti do marrin një iniciativë ku do ti drejtohen kryeministrit Rama për largimin e të paktën një Ministri. Jo më pak se 12 deputetë kanë vendosur të largohet një prej Ministrave të kabinetit për perfomancë të dobët, për mungesën e komunikimit me deputetët, duke mos qenë në rolin e duhur për të qenë pranë votuesve shqiptarë, pranë atyre që na kanë zgjedhur. Është me rëndësi që në kuvend të mishërojmë zërin e votuesve. Asnjë nga deputetët e LSI nuk ka hyrë në zyrat e Ministrave për zgjidhjen e problemeve të tyre, por të komunitetit. Fatmirësisht shumica e tyre janë pa mandat deputeti që i angazhon më shumë, por kjo nuk do të thotë se pse nuk ke mandat deputeti dhe të mos komunikosh me deputetët mbi problemet që ka për votuesit që përfaqëson. Shkalla e rritjes së përgjegjësisë do jetë më e madhe me këtë kërkesë tonën. Shqipëria është më pranë statusit kandidat dhe opozita ka qenë luajale në këtë pikë dhe Presidenti ka përshëndetur dhe po merr hapat e duhur që ti shërbejë këtij qëllimi dhe ne jemi të vendosur si grup parlamentar të punojmë sa më shumë që statusi të merret dhe jemi të sigurt që do merret”, tha ai.  

Kadeli për qeverinë   

Kadeli shkoi më tej kur tha se nëse ky Kabinet do votohej nga mazhoranca me votë të fshehtë, tre prej tyre nuk do kalonin klasën, por pa dhënë emra dhe përkatësi politike. Sipas tij nisma e LSI nuk ka asgjë për tu alarmuar, por një sinjal i mirë për qeverinë që të rrisë rendimentin. “Kjo nuk është për tu alarmuar, është sinjal ku i jepet qeverisë për të rritur rendimentin dhe të jetë më e vëmendshme ndaj komunikimit me deputetët. S’mund të trajtohet deputeti si një roje i Ministrisë përkatëse, s;mund të ulet roli i tij për shkak të një raporti me Kryeministrin të një Ministri apo një qëllimi që mund ti ketë vënë vetes një Ministër për raportin me kolegët e tjerë deputetë. Vetë Kryeministri komunikon natyrshëm përmes komunikimit elektronik me një pjesë të madhe të banorëve. Ndërsa këta Ministra që pretendojnë se janë në nivelin e duhur luajnë rolin e megallomanit, më shumë populizëm, sesa punë efektive. Ne do ja drejtojmë kërkesën Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, vendimmarrja ju takon atyre”, tha Kadeli.  

Manjani kundër Kadelit   

Nënkryetari i LSI, Ylli Manjani, ka reaguar dje pas deklaratës së Kadelit për shkarkimin e një ministri.  Zv/ministri i Transporteve e konsideroi deklaratën, mendim personal. “Nuk mund të ndaloj asnjë komentues në politikë ose jo që të shprehë kënaqësitë apo pakënaqësitë që ka me raste të caktuara apo me Ministra të caktuar. Duhet të dimë të dallojmë qëndrimin personal, nga ai politik. Si nënkryetari i LSI ju them se LSI është e angazhuar 24 në 24 në përbërje të qeverisë aktuale për të përshpejtuar axhendën e integrimit. Kjo është shumë më e rëndësishme sesa komentet që bëhen mbi persona. Është në historinë e LSI që të mos e personalizojë politikën, kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka ndryshuar asgjë në kursin e LSI”, tha Manjani. Por, mori menjëherë përgjigjen e Kadelit, i cili deklaroi se është qëndrim i 12 deputetëve, ndërsa e sheh të pavend ndërhyrjen e Manjanit, duke mos qenë pjesë e grupit parlamentar të LSI.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/