Pritet zhbllokimi i kredive për të pastrehët

30/07/2012 - 00:00

 

Kryetari i këshillit bashkiak do të ulë në tryezë përfaqësuesit e bashkisë dhe Entit të Banesave për të gjetur një zgjidhje për kreditë me kushte lehtësuese

Kryetari i këshillit bashkiak, Indrit Hamiti, ka ndërmarrë nismën për t’i hapur rrugë çështjes së mbetur pezull prej disa muajsh lidhur me përplasjen shkresore mes bashkisë së Durrësit dhe Entit të Banesave për kreditë me kushte lehtësuese nga shteti. Hamiti pritet të ulë në të njëjtën tryezë faktorët kryesorë të përpilimit dhe miratimit të listave që janë bashkia dhe Enti, palë që nuk kanë të njëjtin mendim deri më tani përsa i përket listës së përfituesve. Lista me 400 familje përfituese të kredisë së butë ka disa muaj që i është dërguar Entit Kombëtar të Banesave, institucion që vijon të ketë vërejtje për emrat e përcaktuar në të. Me vendim qeverie atributi i konsulentit për të monitoruar proçesin i është lënë Entit. Thënë ndryshe, para se lista të trajtohet nga banka për efekt kreditimi të qytetarit Enti jep mendimin e vet lidhur me faktin nëse qytetari ka plotësuar apo jo kriteret.

Mes Entit e bashkisë së Durrësit ka pasur komunikim të vazhdueshëm për interpretimin e kritereve, ndërkohë që për shkak të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët gjithë këto muaj lista ka qenë e bllokuar. Pikërisht, duke parë se mes Entit dhe bashkisë së Durrësit nuk është gjetur mirëkuptimi, kryetari i këshillit bashkiak ka ndërhyrë mes palëve me besimin se do të arrihet një e mesme e përbashkët dhe e pranuar për palët. Ka disa qytetarë të cilët në këndvështrimin e Entit nuk plotësojnë kriteret, por vetëm kaq pasi Enti nuk shprehet me emra. Bashkia ka reaguar nga ana e saj po me shkresë zyrtare dhe replikat kanë vijuar si të tilla muaj pas muaji duke mbajtur të bllokuar çështjen e dhënies së kredive nga banka. “Proçesi ka ngecur. Na duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët mes Entit dhe bashkisë. Qytetarët po presin. Këshilli bashkiak ka miratuar listën, ndërsa Enti ka rezerva”,- ka thënë Hamiti. Bashkia nuk ka lëshuar pe për të ndryshuar listën, e cila i është dërguar katër herë Entit Kombëtar të Banesave.

Edhe Enti po ashtu nuk ka pranuar të konfirmojë të plotë e të rregullt këtë listë duke e kthyer në bashki katër herë. Enti thotë se lista e bashkisë nuk është konform kritereve të përcaktuara nga ligji pa u ndalur në emra konkretë. Kryetari i këshillit bashkiak Indrit Hamiti i ka kërkuar Entit të shprehet me emra, por kjo gjë nuk ka ndodhur. “Na sillni emrat që nuk plotësojnë kriteret i është thënë Entit, por ky i fundit nuk ka pranuar të përgjigjet lidhur me emrat e personave për të cilët ata kanë rezerva”- bëri të ditur Hamiti. Në të njëjtën kohë ai ka organizuar një takim me specialistin e Entit, të ngarkuar për këtë qëllim, ndërkohë që nuk është arritur në asnjë marrëveshje konkrete për të shbllokuar situatën. Duke parë se çështja po shkon drejt një krize pa rrugëdalje, kryetari i këshillit bashkiak ka vendosur të organizojë një takim ballafaqimi mes përfaqësuesit të Entit, drejtorisë së shërbimeve në bashki dhe titullarëve të pushtetit lokal. “Duhet të lëvizë dikush nga pozicionet e veta, të tërhiqet, të arsyetojë pasi vetëm kështu do të shkojmë drejt kompromisit”,- ka thënë Hamiti, por pa theksuar se cila palë duhet ta marrë këtë nismë.

Lista e përfituesve është sugjeruar nga bashkia dhe miratuar nga këshilli bashkiak, i cili është mbështetur në sistemin e pikëzimit. Në këtë debat të interpretimit të kritereve lista nuk ka shkuar në bankë për të bërë disbursimin duke mbetur peng i mosmarrëveshjes. Hamiti ka saktësuar se me të zgjidhur këtë situatë,- “do të krijohet një precedent për të ardhmen me qëllim që të mos bllokohet proçesi”. Në dallim nga disa gjykime që vijnë nga brenda e jashtë institucioneve të përfshira në konfliktin e mësipërm, kryetari i këshillit bashkiak pohon se ai nuk e gjykon çështjen e ngërçit si ngecje e qëllimtë me prapavijë politike. “Mendoj se është çështje teknike për të cilën duhet ulur për të biseduar. Nëse do të ketë aplikant që rezulton të mos ketë përmbushur kriteret, do të hiqet nga lista dhe do i hapet rrugë kalimit të listës në bankë për të kredituar përfituesit”,- tha Hamiti. Ai mendon se fare pak emra mund të jenë pjesë e debatit, megjithatë duhet pritur për të dëgjuar se ç’do të thotë Enti dhe ç’do të thotë bashkia. “Kjo është kredi që mbështet njerëzit në nevojë dhe duhet gjetur zgjidhje sa më parë për të vijuar me të tjera lista”,- është shprehur Hamiti.

Bashkia

Bashkia i ka dërguar disa shkresa Entit Kombëtar të Banesave që nga dhjetori i vitit 2011 dhe deri në qershor të vitit 2012 për listën e përfituesve të kredive me kushte lehtësuese nga shteti. Bashkia bën të ditur se lista e fundit është dërguar në muajin maj 2012, ndërkohë që Enti e ka kthyer për pezullim dy muaj më pas. Institucioni i bashkisë dhe enkas departamenti i shërbimeve e ka klasifikuar shkelje veprimin e Entit. Në të njëjtën shkresë bashkia i bën të ditur Entit se nuk ka asnjë mospërputhje mes përbërjes familjare dhe strukturës së apartamenteve siç pretendon Enti i Banesave. Bashkia saktëson se ka dërguar në Tiranë dy lista, njëra me 400 emra përfituesish dhe tjetra me 182 emra. Si lista e parë edhe e dyta janë miratuar në këshillin bashkiak të Durrësit me vendim nr. 50, datë 6.4.2012. Bashkia ka këmbëngulur se çdonjëri nga të përfshirët në listë e meriton të drejtën për të përfituar kredi me kushte lehtësuese. Por replika përmes korrespondencës shkresore shkon edhe më tej.

Sipas këndvështrimit të bashkisë, Enti Kombëtar i Banesave ka bërë ndëshkim kolektiv, pasi nuk është saktësuar nga ky institucion se cili nga personat nuk ka plotësuar kriteret. Së paku dhjetë persona të përfshirë në listë tashmë kanë kryer të gjitha proçedurat në bankë për të marrë kredi, ndërkohë që Enti pretendon se ka rrëzuar tërë listën. Një veprim i tillë selektiv ka penalizuar rëndë institucionin e Entit Kombëtar të Banesave, pasi mësohet se ky i fundit është shprehur tërësisht kundër listës. Sipas departamentit të shërbimeve në bashkinë e Durrësit, veprimi i Entit është në kundërshtim me çdo parim pasi ky institucion nga njëra anë nuk pranon të njohë listën, nga ana tjetër emrave të përveçëm në atë listë u njeh të drejtën të marrin kredi pa vënë në dijeni bashkinë e Durrësit. Bashkia pretendon se pas veprimit të paarsyeshëm të Entit ka dashakeqësi dhe se moskalimi i listës shpreh qartë se qeveria nuk ka fondet e duhura për të afruar kredi, ndaj ka gjetur rrugën e zvarritjes për t’ia lënë përgjegjësinë bashkisë.  

Reagimi i Entit

Shkresa e fundit që Enti Kombëtar i Banesave i ka dërguar bashkisë së Durrësit daton me 17 korrik 2012. Në të bëhet e qartë se sqarimet janë në vijim të korrespondencës mes palëve. Aty saktësohet se Enti ka pezulluar proçedurat kredituese të listës së qytetarëve të pastrehë që bashkia e Durrësit ia ka dërguar BKS-së për kredi me kushte lehtësuese nga shteti. Shkresa bën të qartë se Enti është i ngarkuar për të mbikqyrur programin e strehimit nëpërmjet kredive me kushte lehtësuese. Ligji i jep të drejtë këtij institucioni të mbikqyrë edhe përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që kërkojnë kredi të tilla. Enti pretendon në këtë shkresë se pas verifikimit të listave të miratuara me vendim të këshillit bashkiak nr. 50, datë 6.4.2012 dhe nr. 33, datë 20. 12. 2011 është vënë re se ka mospërputhje mes përbërjes familjare dhe strukturës së apartamentit që do të përfitojë secila familje. Enti pohon gjithashtu se për disa familje ka edhe tejkalim të të ardhurave familjare dhe kjo bie në kundërshtim me pikën nr. 5b, pikën 6 të Udhëzimit 6257, datë 2. 9. 2008. Lidhur me kërkesën e bashkisë drejtuar Entit se cili person nuk plotëson kriteret, Enti Kombëtar i Banesave sqaron se të gjitha verifikimet janë mbështetur në kritere për çdonjërën familje dhe nuk ka të bëjë me dënim kolektiv. Enti i kërkon bashkisë të bëjë korrigjimet e nevojshme. Por edhe në këtë shkresë Enti nuk ka dhënë asnjë emër konkret se cili nga personat në listë nuk ka plotësuar kriteret, pra nuk ka të drejtë të përfitojë nga kreditë me kushte lehtësuese të akorduara nga shteti.


 

Kriteret

Qeveria shqiptare ka vendosur të gjejë një tjetër mundësi për të ndihmuar të pastrehët kryesisht në qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Vlora e të tjera. Veç banesave sociale për këtë kategori është menduar dhe ka nisur së funksionuari edhe dhënia e kredive me kushte lehtësuese nga shteti. Përfituesi i kësaj kredie me kushte lehtësuese duhet të përfshijë në dosjen e tij kërkesën si i pastrehë, çertifikatën familjare, të ardhurat, vërtetim që nuk ka pronë e shtëpi etj. Dosja më pas kalon në duart e specialistëve të departamentit të shërbimeve dhe në kohën që pushteti lokal arsyeton se ka përmbushur detyrimet lista kalon për miratim në këshillin bashkiak. Çdo i pastrehë, në Durrës, që plotëson këto kritere me shkresa zyrtare ka të drejtë të aplikojë për kredi me kushte lehtësuese dhe shlyerje me afat të gjatë kohor, për 30 vite. Apartamentet në dispozicion të të pastrehëve variojnë nga garsonieret deri në apartamentet 3+1, në varësi të përbërjes familjare.


 

Hamiti

Proçesi ka ngecur. Na duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët mes Entit dhe bashkisë. Qytetarët po presin. Këshilli bashkiak ka miratuar listën, ndërsa Enti ka rezerva. Duhet të lëvizë dikush nga pozicionet e veta, të tërhiqet, të arsyetojë pasi vetëm kështu do të shkojmë drejt kompromisit. Nëse do të ketë aplikant që rezulton të mos ketë përmbushur kriteret, do të hiqet nga lista dhe do i hapet rrugë kalimit të listës në bankë për të kredituar përfituesit.


 

Bashkia

Pushteti lokal ka dërguar në Tiranë dy lista, njëra me 400 emra përfituesish dhe tjetra me 182 emra. Si lista e parë edhe e dyta janë miratuar në këshillin bashkiak të Durrësit me vendim nr. 50, datë 6.4.2012. Bashkia ka këmbëngulur se çdonjëri nga të përfshirët në listë e meriton të drejtën për të përfituar kredi me kushte lehtësuese. Sipas pushtetit lokal qeveria nuk ka fondet e duhura e prandaj e zvarrit çështjen që faji t’i mbetet bashkisë.


 

Enti i Banesave

Enti pretendon se pas verifikimit të listave të miratuara me vendim të këshillit bashkiak nr. 50, datë 6.4.2012 dhe nr. 33, datë 20.12. 2011 është vënë re se ka mospërputhje mes përbërjes familjare dhe strukturës së apartamentit që do të përfitojë secila familje, që është futur në listë. Enti pohon gjithashtu se për disa familje ka edhe tejkalim të të ardhurave familjare dhe kjo bie në kundërshtim me pikën nr. 5b, pikën 6 të Udhëzimit 6257, datë 2.9.2008

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar një ditë pas vendimit të Këshillit Europian, i cili vendosi që Shqipërisë dhe Maqedonisë

Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se Italia do t’i propozojë Bashkimit Europian të hap në muajin nëntor negociatat për Shqipërinë

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me vendimin e djeshëm të Këshillit Europian, i cili votoi kundër hapjes së negociatave

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me vendimin e djeshëm të Këshillit Europian, i cili votoi kundër hapjes së nego

Ekspertja Valesa Esch shpjegon pёr DW vendimin e samitit tё BE-sё mbi negociatat me Shqipёrinё dhe Maqedoninё e Veriut.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit, ku shprehej i zhgënjyer për vendimin e Këshillit Eu

Një reagim i ashpër vjen nga ish-deputeti i Parlamentit Europian Eduard Kukan, pasi sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën një ‘JO’ n

Shqipëria nuk mundi të marrë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Pas “Jo”-së së Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur se kjo për