Partia Demokratike ka reaguar lidhur me procedimin penal të kryebashkiakut të Lezhës dhe të Mallakastrës, repsektivisht Fran Frrokajt dhe Agron Kapllanajt, pas deklaratave të bëra në emisione televizive për pengimin e zhvillimit të veprimtarisë së Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Përmes një deklarate për mediat nga selia blu, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, denoncoi atë që e quajti “dënimin e kundërshtarëve politikë të Ramës për agjitacion e propagandë”.

Bardhi tha se procedimi penal i Frrokajt dhe Kapllanajt është një provokim i rëndë që i bëhet opozitës, që përbën në të njëtën kohë edhe një goditje ndaj demokracisë. “Tentativës së dështuar për të kryer votime moniste dhe të paligjshme, Edi Rama po i shton edhe tentativën për të rikthyer në Shqipëri dënimin e kundërshtarëve politikë për agjitacion e propagandë. Kushdo që nuk mendon si ai, kushdo që refuzon farsën kriminale dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, kushdo që nuk bëhet pjesë e grushtit të shtetit që po realizon, procedohet nga Policia dhe Prokuroria e tij e kriminalizuar me urdhër politik. Procedimi penal i Kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe Kryetarit të Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj, pse ato mendojnë ndryshe nga Edi Rama dhe kanë deklaruar se do të zbatojnë Dekretin e Presidentit, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe një akt i fortë provokimi ndaj opozitës.”- tha Bardhi.

Sipas PD, këto akte të kryeministrit Edi Rama do marrin përgjigjen e merituar. “Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri është vetëm Edi Rama dhe banda e tij. Aktet dhe veprimet kundër qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës, si këto kundër kryebashkiakëve Frrokaj dhe Kapllanaj, do të marrin përgjigjen e merituar.”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve.

Kryebashkiakët Frrokaj dhe Kapllanaj do të procedohen në gjendje të lirë respektivisht për veprat penale “Pengim i subjekteve zgjedhore” dhe “Thirrje për veprime të dhunshme”. Më herët, në një emision televiziv, Frrokaj ka deklaruar se “do të bllokojmë KZAZ, do ta mbyllim me çelës e nuk do të lejojmë zgjedhje”.  Në rrethana të njëjta, Kapllanaj dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale duke bërë thirrje për veprime të dhunshme, në lidhje me procesin zgjedhor.