Gjatë ditës së sotme opozita e bashkuar, ka mbajtur protestën e radhës.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se shqiptarët e kanë marrë tashmë vendimin e tyre dhe nuk ka më kthim pas.

"Sot qytetarët u përballën pa bërë asnjë hap pas, përballë pushtetit të grabitur, kriminal dhe të pamoralshëm të Edi Ramës. Populli tashmë e ka marrë vendimin e tij. Rruga tashmë është nisur për të shpëtuar demokracinë dhe lirinë e njerëzve. Ky është vendimi që qytetarët kanë marrë, opozita do ta udhëheqë atë në çdo orë dhe çdo ditë", tha Kryemadhi.

Në një konferencë për mediat, pas protestës, Kryemadhi u shpreh se loja ka filluar të luhet fort dhe opozita është e vendosur për të qeverisur zemërimin dhe indinjatën e qytetarëve shqiptarë për të përmbushur një akt patriotik që është integrimi në Bashkimin Europian.

"Tashmë rruga jonë nuk ka më kthim pas, do të qeverisim zemërimin dhe indinjatën e qytetarëve shqiptarë për të përmbushur një akt patriotik që është integrimi në Bashkimin Europian", u shpreh ajo.

Sipas saj qytetarët do të largojnë pengesën e vetme që kanë për ëndrrën europiane, që mban emrin Edi Rama.

"Qytetarët do të largojnë pengesën e vetme që kanë për ëndrrën europiane, që mban emrin Edi Rama .Rruga e vetme që ka Shqipëria është integrimi në BE. Sot ai mori një shuplakë, loja tashmë do të hyjë prej vërteti, ka filluar të luhet fort", u shpreh Kryemadhi.