Gjatë konferencës së jashtëzakonshme, e paralajmëruar më herët, Presidenti Ilir Meta dha prova të reja për atë që e quan “grusht shtetit”. Ai u ndal tek iniciativa e deputetëve për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku tha se autor i saj është Këshilli i Ministrave.

Sipas Metës, Rama është ideatori dhe frymëzuesi i puçit të shtetit dhe do të mbajë përgjegjësi para popullit dhe drejtësisë së re.

“Vazhdojmë me prova të reja për përpjekjen e gjysmë parlamentit për të hedhur hapin final, të kurorëzimit të grushtit të shtetit. Ju e dini që gjoja është marrë një iniciativë e gjoja deputetëve të pavarur, por dokumentet që kemi tregojnë se kjo iniciativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese është zbatim i programit politik të Këshillit të Ministrave. Pra e kanë marrë nga “Don Doni”, direkt dhe vetëm kanë ndryshuar emrin, Kuvendi i Shqipërisë me të qeverisë. Provë tjetër që Edi Rama është ideatori, frymëzuesi dhe ekzekutori  i këtij puç shteti dhe ai do të jetë përgjegjësi i parë dhe i drejtpërdrejtë para popullit shqiptar dhe drejtësisë së re që do të vijë pas triumfit të grushtit të shtetit. Gjysmë parlamenti në relacionin e tij, që si gjithmonë shquhet për gënjeshtra dhe mashtrime thotë se kjo nismë për të bërë ceremonitë e betimit nëpër kafene dhe buzë Lanës ka marrë dhe aprovimin e KLP, KLGJ, KED-s, fondacionit Soros, i cili nuk besoj se ia ka dhënë këtë por nuk e kam ende përgjigjen Respublica-s dhe Ministrisë së Drejtësisë, që ia ka dërguar të shkruar projektligjin. Të gjitha këto që ua bëmë të ditura herën e kaluar përgënjeshtrohen nga vetë Dvorani, që nuk ka dhënë asnjë mendim të tij, as personal dhe aq më tepër në emër të KED në mbështetje të këtij grushti shteti. Unë nuk kam gjë tjetër veçse ta duartrokas. Kur një njeri vepron me transparencën nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta duartrokas. Këtu kemi një dokument tjetër të deledeputetëve që dhunojë dhe përdhunojnë Kushtetutën e popullit shqiptar ku thotë që Shkolla e Magjistraturës nuk ka dhënë opinion për këtë ligj fare. Falenderoj dhe zotin Sadushi për transparencën e tij”, tha Meta.