Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka thotë se provat e reja të dorëzuara nga Saimir Tahiri sot para Prokurorisë, ishin veprime të qarta dhe u kryen sipas skenarit, që njoftoi Edi Rama me 16 tetor.

Kjo është alibia që Edi Rama i dha Saimir Tahirit dhe pas së cilës fshihet presioni që po i bëhët prokurorisë për të mbyllur çështjen.  

Dorëzimi i gjoja provave të reja nga Saimir Tahiri është pjesë e skenarit të Edi Ramës për të përgatitur opinionin publik për mbylljen e çështjes së Saimir Tahirit.   

Këtë që ka bërë sot Saimir Tahiri, e ka paralajmëruar Edi Rama më 16 tetor, kur njoftoi se cili do të jëtë fati i dosjes “Tahiri”. 

“Erl Murati: A erdhi dosja nga Prokuroria në Parlament, që e votove dhe e rrëzove për arrestimin e ministrit të Brendshëm?

Edi Rama: Po mirë po si shpjegohet që, sot e gjithë ditën ajo dosja e famshme e atij procesi që bëhet në Itali dhe nuk bëhet këtu, nuk rezulton asgjë për ministrin e Brendshëm.

Erl Murati: Atë do ta thotë gjykata.

Edi Rama: Po e ka thënë gjykata.

Erl Murati: Po do ta thotë gjykata.

Edi Rama: Po e ka thënë mor në Itali.

Erl Murati: Për kë po flet?

Edi Rama: Për atë mo për atë dosjen që thua ti, dosjen që e rrëzuam ne.

Erl Murati: Cilën pra?

Edi Rama: Për atë dosjen e Saimir Tahirit po them. Si shpjegohet?

Erl Murati: Vazhdon pra, janë shtyrë hetimet e Prokurorisë këtu në Tiranë.

Edi Rama: Ore po flas për Italinë unë, lëre në Tiranë. Në Itali!” tha Edi Rama në 16 Tetor 2018. 

Pra, e ashtuquajtura provë e re që paraqiti sot si lajm Saimir Tahiri është fakti se në Itali ai nuk është nën hetim. Kjo është alibia që Edi Rama i dha Saimir Tahirit dhe pas së cilës fshihet presioni që po i bëhët prokurorisë për të mbyllur çështjen.

·         Është fakt se Saimir Tahiri po hetohet nga Prokuroria shqiptare për krime të kryera në territorin shqiptar.

·         Është fakt së shteti Italian nuk mund të hetojë një shtetas shqiptar që kryen krim në territorin shqiptar.

·         Është fakt që grupi kriminal Habilaj për 4 vjet nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga Saimir Tahiri organizoi trafikun ndërkombëtar të drogës me makinën private të ministrit të brendshëm. 

·         Është fakt se pavarësisht denoncimeve të përditshme të Partisë Demokratike për 3 vjet me rradhë për trafikun e drogës nga grupi i Habilajve me audin AA 003 GB, Edi Rama dhe Saimir Tahiri mohuan të vërtetën, sulmuan denoncuesit dhe morën në mbrojtje trafikantët e drogës.  

Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë të qartë se, përsa kohë Edi Rama të jetë kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës, prokuroria do të vulosë vendimet e marra në zyrën e Edi Ramës.  

Garantojmë Arta Markun, Donika Prelën dhe çdo prokuror që bëhet mburojë e pushtetarëve të lidhur me krimin të organizuar, se dita e drejtësisë do të vijë edhe për ta.   

Arta Marku dhe Donika Prela nuk do të shpëtojnë dot nga përballja me drejtësinë as Saimir Tahirin, as Fatmir e Agron Xhafën, as Vangjush Dakon, as Taulant Ballën e aq më pak Edi Ramën.