Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi ka mbledhur sot Konferencën e Kryetarëve, një ditë pasi Partia Socialiste deklaroi se do të vijonte procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, që ka depozituar kërkesën për mocion me debat.

Për të caktuar datën e zhvillimit të mocionit dhe kohën e debatit, sipas neneve 98 dhe 99 të Rregullores, mblidhet Konferenca e Kryetarëve në mjediset e selisë së Kuvendit.

Konferenca do të marrë në shqyrtim kërkesën e Ballës, që kërkon zhvillimin e një debati parlamentar për vendimin e Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.

Në kërkesën që pritet të shqyrtohet paraditen e sotme, theksohet se: “Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”.