Teksa publikon një video, deputetja socialiste e Durrësit, Klodiana Spahiu shkruan në Facebook, se në qytetin bregdetar po ndërtohen rrugë dhe trotuare sipas standardeve evropiane, referuar punimeve që po kryhen në disa akse të rëndësishme në këtë periudhë.

Sipas Spahiut, "këto investime po zhvillohen sipas standardeve të BE-së dhe Kodit Rrugor të Shqipërisë, duke ndërtuar trotuare me kuotë zero me rrugën, rrugë me gjerësi 6 m (ashtu sic janë rrugët brenda qytetit), vendkalime për personat me aftësi të kufizuar si dhe ndërtimin e kanalizimeve, parkimit, ndriçimit dhe gjelbërimit."

POSTIMI I PLOTË

Rrugë dhe trotuare sipas standardeve evropiane

Vazhdojnë punimet për rikualifikimin e trotuareve dhe rikonstruksionin e rrugëve në qytetin e Durrësit. Rruga “Egnatia”, aksi nga sheshi “Liria” deri te Mauzoleumi i Dëshmorëve si dhe ndërtimi i kuartalleve në lagjen nr 4 pranë rrugës paralel me murin e portit, janë projekte të bashkisë që janë financuar nga fonde të bashkisë dhe qeverisë shqiptare me rreth 300 milion lekë.

Këto investime po zhvillohen sipas standardeve të BE-së dhe Kodit Rrugor të Shqipërisë, duke ndërtuar trotuare me kuotë zero me rrugën, rrugë me gjerësi 6 m (ashtu sic janë rrugët brenda qytetit), vendkalime për personat me aftësi të kufizuar si dhe ndërtimin e kanalizimeve, parkimit, ndriçimit dhe gjelbërimit.

Dy kuartalle të reja po ndërtohen në lagjen nr 4, me parkim publik, ndriçim, gjelbërim dhe mjedise të tjera shlodhëse me sipërfaqe totale 25 800 metër katror. Pak nga pak të gjitha rrugët e brendshme të qytetit të Durrësit do të unifikohen për të pasur pamje dhe funksion të njëjtë në dobi të qytetarëve dhe turistëve që vizitojnë qytetin tonë.