Pas portit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kishte planifikuar një takim me pedagogë e studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Një grup studentësh, të rinj në strukturat rinore të PD-së kanë lëshuar thirrje kundër tij duke i kujtuar gazin lotsjellës të përdorur në protestat e opozitës.

Me thirrjet e vazhdueshme ‘turp, turp, turp” studentët i kanë kërkuar llogari ministrit, i cili i ka ftuar të komunikojnë nga afër.

“Kam unë disa pyetje zoti ministër. E para ke qenë këshilltar sigurie për kryeministrin në momentin që Shqipëria u mbush me kanabis. Çfarë këshillash i keni dhënë kryeministrit rreth çështjes së kanabizimit të vendit? E dyta pse po përdoret lëndë toksike gjatë protestave? E treta pse truprojat tuaja po ushtrojnë dhunë ndaj nesh?”, iu drejtua një student ministrit.

Më pas Lleshaj është futur në ambientet e universitetit ku ndodhej edhe kryetari i Bashkisë Vangjush Dako. Studentët kanë dashur të hyjnë brenda Universitetit por nuk janë lejuar nga policia.