Nga 1 tetori, bizneset e mëdha do të jenë sërish nën “lupën” e administratës fiskale, duke shënuar nisjen e aksionit “antiinformaliteti 3”.

“Shpallim fazën tjetër të aksionit antiinformalitet, një fazë që do të jetë më e thellë, e fokusuar tek sipërmarrja e madhe por absolutisht pa lënë jashtë vëmendjes sipërmarrjen e vogël, pra kuponat, regjistrat fiskalë.”-tha Ahmetaj.

Kjo është fushata e tretë që qeveria nis ndaj informalitetit. Në dy aksionet e para, rezultatet nuk kanë qënë të kënaqshme. Por çfarë do të jetë ndryshe në këtë fazë të tretë?

“Kryeministri e ka quajtur mandatin e dytë mes të tjerash dhe si mandatin e antiinformalitetit. Nuk është më si më parë ku shikimi në sektor ka qenë jo i plotë. Sot njësitë janë disa herë më të përgatitura për shkak të kërkesës, pra ka një shikim më të plotë, një qartësi më të madhe për ku të shikohet.” deklaroi ministri.

Ministri Ahmetaj i shoqëruar edhe nga dy drejtoret e administratës fiskale, teksa vizitoi një biznes prodhues në Tiranë, evidentoi sektorët me risk, ku do të fokusohet vëmendja më e madhe.

“Përsa i përket doganave dhe mallrave të akcizës. Në aspektin e tatimeve, ka disa industri që nga shitja me pakicë, që nga prodhimi, që janë në fokus të një risku më të detajuar.”- shtoi Ahmetaj.