Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë Maryam Salim dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro ishin pjesë e takimit prezantues për aplikacionin “Rruga Dixhitale”.

Në kuadër të programit të përbashkët me Bankën Botërore për mirëmbajtjen me performancë të akseve rrugore kombëtare, aplikacioni “Rruga Dixhitale” është një hapësirë e re komunikimi e ndërveprimi mes qytetarëve dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar për të raportuar problematika që lidhen me sinjalistikën dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore.

Me anë të këtij programi i cili mund të shkarkohet në aparatet smart phone, por edhe në versionin website, qytetarët mund të raportojnë në kohë reale çdo problematikë lidhur me mirëmbajtjen, sinjalistikën rrugore apo shpronësimet për rrjetin rrugor kombëtar që administrohet nga ARRSH.

Nëpërmjet një stafi të veçantë ndiqet ankesa e qytetarit dhe kthehet përgjigje në kohë reale. Përmes bashkëpunimit me qytetarët, ARRSH do të mund të reagojë më shpejt dhe me efikasitet.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri tha se kjo platformë është në linjën e filozofisë së qeverisë për bashkëqeverisjen me qytetarët.

“Nëpërmjet këtij aplikacioni na ndihmoni edhe ne sesi të kontrollojmë punën tonë më mirë, pra kompanitë të cilat kanë marrë përsipër ta bëjnë dhe njëkohësisht të masim edhe performancën e tyre, duke u përgjigjur në kohë. Mirëmbajtja është një sfidë e vërtetë në të ardhmen. Shqipëria po krijon rrjet të ri rrugor, fondi i rrugëve sa vjen e pritet të rritet dhe kjo është një fakt.  Përdoruesit do të jenë edhe kontribues të këtyre. Përdorimi i një aplikacioni të tillë të bën vërtet një aksioner me të drejta të plota për të kërkuar llogari me atë çka është bërë me paratë e investuara në mirëmbajtjen e rrugës”, nënvizoi Gjiknuri.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore Maryam Salim theksoi se qasja inovative e zbatuar në këtë projekt kërkon që kontraktorët të kalojnë me sukses nivelet e performancës së shërbimit që maten përmes indikatorëve. “Kjo qasje ka potencialin që të ofrojë kursimin në kosto dhe mund të jetë me efikasve përsa i përket realizimit të niveleve të shërbimeve që kanë vërtet rëndësi për përdoruesit e rrugës” nënvizoi ajo.

Drejtori i Autoritet Rrugor tha se nëpërmjet kësaj platforme qytetarët do të jenë në bashkëpunim të ngushë me Autoritetin Rrugor për të gjitha problematikat që kanë në rrugë qoftë me mirëmbajtjen, qoftë me sinjalistikën, qoftë me shpronësime dhe për çdo gjë tjetër që mund të ndodhë në rrugë.

Qëllimi është që qytetarin ta kemi më afër në raportimin për problemet në infrastrukturë në një kohë reale, të shkurtër online, pra ne ta bëjmë qytetarin pjesë të punës sonë. Po nga ana tjetër ne të kemi një transparencë, sepse për çdo ankesë që bëhet ne do të kemi strukturat organizative pranë ARRSH-së, të cilat do të bëjnë të mundur dhënien e shpjegimit dhe marrjen e masave nëpërmjet kompanive kontraktore për ta zgjidhur problemin që ka në rrugë’, u shpreh Qëndro.