Deputeti nga Grupi i Pavarur Parlamentar, Ralf Gjoni ka bërë me dije se opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, nuk i ka shkuar një akt për shkarkimin e Presidentit.

Sipas Gjonit, papërgjegjshmëria e kësaj klase të mbaruar politike po dëmton interesat kombëtare dhe për këtë kriza politike iu imponon gjetjen e zgjidhjes në Kuvend. Ai theksoi se vota e tij do të mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor.

"Nuk kemi përpara ende asnjë akt parlamentar për shkarkimin e Presidentit. Por kriza aktuale politike po kthehet në një situatë tragji-komike e cila na imponon gjetjen e një zgjidhjeje në Kuvend. Papërgjegjshmëria e kësaj klase të mbaruar politike po dëmton interesat tona kombëtare dhe po shkatërron të ardhmen tonë. Ndaj dhe angazhimi im parlamentar dhe vota ime në Kuvend do të udhëhiqen para së gjithash nga ndryshimi radikal i sistemit zgjedhor, hapja e listave dhe ligji për partitë politike, si strumbullarë të gjithçkaje të mbrapshtë në këtë vend. Ndaj dhe vota ime mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e masakrës elektorale te vitit 2008!",– tha Gjoni.