Më 21 shtator, shtëpia e Fiqiri dhe Kimete Lamit në Mazrek të Kasharit u dëmtua rënde nga tërmeti, duke u bërë krejtësisht e pabanueshme. Dy muaj më pas, 5 anëtarët e kësaj familjeje kanë hyrë në shtëpinë e tyre të re, shumë herë më të bukur dhe më të fortë se e para.

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe biznesmeni Luan Bregasi i dorëzuan sot çelësat e shtëpisë së re gjyshes së familjes Hide Lami, e cila nga ana e saj i falënderoi që arritën të bënin realitet një ëndërr.

Ndërkohë që Veliaj informoi kryeministrin se veç kësaj shtëpie janë edhe rreth 50 shtëpi të tjera që po bëhen nga e para dhe që ishin shkatërruar nga tërmeti i 21 shtatorit.

“Këto janë të tërmetit të parë dhe janë 50 shtëpi se ishte dhe dëmi më i vogël. Pra, si Luani, janë edhe 49 bamirës të tjerë që kanë adoptuar nga një shtëpi që po bëhen nga e para dhe që përfundojnë para vitit të ri”, tha ai.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka dhënë zgjidhje edhe për shtëpitë e shpallura te pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit, duke siguruar bonus qeraje 1 vit për mbi 900 familje, deri në zgjidhjen e strehimit të tyre.