Presidenti Ilir Meta ka mbledhur ditën e sotme Këshillin e Sigurisë. Në këtë mbledhje janë të pranishëm, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Po ashtu, të pranishëm janë edhe kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, kreu i komanduar i SHISH Helidon Bendo dhe përfaqësues të tjerë.

Mbledhja ishte parashikuar 2 javë më parë. Ende nuk dihet se për çfarë do të bisedohet në këtë mbledhje, ndërsa ajo vjen në një kohë kur ministrit Xhafaj i kërkohet largimi për shkak të akuzave për vëllain e tij.

Partia Demokratike ka hedhur akuza të forta ndaj Agron Xhafajt, për të cilin thotë se nuk është arrestuar edhe pse është i dënuar me 7 vite burg.

Por ditën e sotme, Agron Xhafaj, përmes një letre publike bëri me dije se është dorëzuar tek autoritetet italiane, ndërsa ka shtuar se përgjimi që ka publikuar PD është i montuar.

Për këtë ngjarje, kryeministri Edi Rama në mbledhje urgjente me grupin e PS tha se kishte kërkuar ndihmën e agjencive të huaj për të hetuar mbi vërtetësinë e përgjimit.

Po ashtu, Rama njoftoi se nuk do të shkarkonte Xhafajn, duke shtuar se akuzat janë të sajuar nga opozita.