Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në shkollën “Kosova” që hapi dyert për nxënësit, pas rikonstruksionit të plotë që iu bë nga Bashkia Tiranë.

Kreu i qeverisë përmendi shkurtimisht kalvarin 15-vjeçar me truallin ku ndodhet sot shkolla “Kosova”, dhe që sot falë Bashkisë së Tiranës kjo është një nga shkollat më të bukura në vendin tonë.

“Jam shumë i gëzuar të jem këtu sot pas më shumë se 15 vitesh luftë për këtë kënd të Tiranës, ku mund të shkruhet një libër për Shqipërinë që kishim sepse këtu në këtë trual u ngatërruan të gjitha së bashku, që nga babëzia deri te korrupsioni i gjykatave, shkolla u dogj, trualli u kthye në mënyrë të paligjshme. Pastaj u prenë pishat që ishin këtu dhe territori u kthye në një parking.

Nga të katër anët u bë çmos për ta marrë më në fund lejen e pallatit që do kishte zënë përfundimisht këtë kënd historik të arsimit të Tiranës. Pastaj administrata e kaluar e Bashkisë e vuri në plan të ndërtonte pallat, dhe pastaj më në fund ky makth mbaroi me ndryshimin në Bashkinë e Tiranës dhe me futjen në rrugë të projektit të ri që sot nuk është më një projekt në 3D, por është realitet përpara syve tanë”, tha Kryeministri Edi Rama.

Për të treguar prioritetin e qeverisë ndaj arsimit, Kryeministri e përshkroi me fjalët e Sami Frashërit.

“Sami Frashëri thoshte ‘nëse do të mbjellësh për vit, mbill misër dhe grurë. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë’. Më vjen shumë mirë që brenda pak javësh, së bashku me Bashkinë e Tiranës, ne do të fillojmë projektin e madh të 17 shkollave të reja. Janë 17 shkolla që do të financohen nga programi 1 miliard i qeverisë.  Jam i bindur që investimi i prindërve tek fëmijët po gjen gjithmonë e më shumë përputhje tek investimi jonë për fëmijët. Ne do të vazhdojmë të bëjmë shumë më tepër”, u shpreh Rama.

Për të uruar nxënësit, në shkollën “Kosova” ishin edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila siguroi se qeveria do vazhdojë investimet në arsim, si dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.