Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një takim të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Forumit Ekonomik Botëror këtë të premte për përshpejtuesin e konkurrencës dhe inovacionit në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Ky do të jetë instrumenti i parë i këtij lloji në rajon dhe Europë. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se fëmijët kanë nevojë që të kenë një platformë të përbashkët. Megjithatë kreu i qeverisë sonë tha se Ballkani Perëndimor është indetifikuar për kapacitetet e mrekullueshme për të prodhuar histori dhe nga ana tjetër për mos kapacitetin e rajonit për t’i tretur këto zhvillime.

Me gjithë punën që po bëhet, kreu i qeverisë tha se e shkuara del herë pas herë në formën e politikanëve dhe analistëve. Pavarësisht kësaj, ai tha se vendet e rajonit ia kanë për borxh fëmijëve që të kemi një vend të ri në Ballkanin Perëndimor me të ardhme.

“Po shohim një punë që është në proces e sipër që zhvillohet paralelisht me sfidat dhe pengesat që zhvillon e shkuara dhe herë pas herë e shkuara na del përpara në formën e politikanëve dhe analistëve të së tashmes. Pavarësisht nga këto ne jemi të angazhuar dhe do të ecim përpara. Kjo është ajo që i detyrohemi fëmijëve tanë. E kemi për detyrë që ta bëjmë rajonin më të mirë për fëmijët tanë. Ia kemi për borxh fëmijëve që të kemi një vend të ri në Ballkanin Perëndimor, aty ku cilësia e jetës nuk do të matet nga sa shumë pajtohemi me njëri tjetrin, por deri në çfarë mase nuk biem dakord me njëri-tjetrin”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama theksoi se rajoni ka vetëm një drejtim, Bashkimin Europian.

“E shkuara është e shkuar. Duhet ta trajtojmë të shkuarën, por duhet të shkojmë përpara dhe duhet të mendojmë për fëmijët tanë, si do të na shohin ata ne”.