Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm me Senatin e Universitetit të Tiranës ku foli për Reformën e Universiteteve dhe sfidat e autonomisë së zgjeruar falë Ligjit të Ri për Arsimin e Lartë.

Rama tha se Universiteti i Tiranës duhet të ketë autonomi nga ana financiare. Madje me ton pak të ngritur kreu i qeverisë iu drejtua Senatit duke i thënë se jeni bishti i kavallit i të gjithë universitete të Shqipërisë. 

"Ne morëm një vendim për rritjen e rrogave por kjo është hera e fundit se i takon çdo Universiteti të vendosë për rrogat. Dikush të marrë më shumë dikush më pak, në varësi të kontributeve dhe performancës. Duhet të mbarojë historia që marrin të gjithë njësoj si një pedagog që mban shkollën në këmbë dhe një tjetër që e merr rrogën kot. Po kjo është një punë që e bën universiteti jo qeveria. Qeveria sulmohet për tarifat, nuk i vendosim ne, i vendos universiteti. Qeveria vendos një tavan për të shmangur abuzimet. Jeni të zgjedhur, flamurin e autonomisë e keni, tundeni. Mund të çohen nja 10-15 pedagogë e të thonë të ndryshohet ligji, kjo nuk ndodh, nuk bën vaki, ligji duhet zbatuar. Por ligjet mund të ndryshohen kur shihet që nuk funksionon diçka," u shpreh Rama.