Pas qëndrimit të ashpër të Presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama.

Ai i është përgjigjur me ironi në Twitter, Presidentit, duke thënë se “Doktoresha e Shkencave”, duke iu referuar bashkëshortes së kreut të shtetit, Monika Kryemadhi, i ka vjedhur fjalëkalimin e Facebook-ut.

“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”, shkruan Rama në Twtter.

Mëngjesin e sotëm, në një postim në Facebook, Ilir Meta deklaroi ashpër se nuk ka forcë në botë që t’i shantazh Presidentit të Republikës.

Prej ditës së djeshme, mes Ramës dhe Metës ka patur replika në distancë në rrjetet sociale, pasi Presidenti e konsideroi të papranueshëm kandidaturën e Gent Cakaj për ministër të Jashtëm.