Kryeministri Edi Rama ka inspektuar ditën e sotme punimet që po kryhen në zonën e shëtitores "Taulantia", në Durrës ku po ndërtohet një park qendror për të gjitha moshat dhe një hapësirë turistike.

“Rreth 1 km vijë bregdetare, përfshinë sistemimin e rreth 30 mijë m2 sheshe dhe ndërtimin e  shkallareve deri në det. Projekti përfshinë dhe rreth 20 mijë m2 sipërfaqe te gjelbëruar, mbjelljen e  rreth 500 pemëve dhe rreth 6500 shkurreve dekorative, fusha sportive, kënde lojërash, parkim”, tha Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, realizuese e këtij investimi.

“Durrës – Në kantierin e transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit, në një park qendror për të gjitha moshat dhe hapësirë turistike e denjë për ambicien tonë për ta kthyer bregdetin në një pasqyrë rrezatuese të #ShqipërisëqëDuam’, shkruan Rama krahas videos.

Aktualisht janë kryer punimet për mbrojtjen detare, ku përfshihet ndërtimi i murit në zonën 2 dhe shkallareve dhe trarëve b/a në zonën 1, si dhe mbushja me gurë në det në zonën 1 dhe 2. I gjithë sheshi qendror do të ketë në brendësi zona  për evente dhe një parkim i ri në shërbim të qendrës.