Në një takim elektoral me të rinj në Laprakë në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Edi Rama tha se sfida e tij më e madhe është bashkimi i forcave të jashtëzakonshme kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë.

Me një palë atlete “Made in Albania” që mori dhuratë nga një sipërmarrës shqiptar, Rama tha se jo rastësisht kishte zgjedhur të majtën në ngjyrë të bardhë dhe të djathtën në ngjyrë të zezë.

Sipas tij, për të vrapuar duhen të dyja këmbët teksa theksoi se vendi me PS ka shanse të ngjitet shumë më lart.

“Nuk mora të majtën dhe të djathtën e bardhë, mora të majtën e bardhë dhe të djathtën e zezë, për të thënë që për të vrapuar duhen të dyja këmbët, për të shkuar më lart duhen të dyja këmbët, për mua sfida e madhe është që të bashkojmë forcat e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm kundër të gjithëve siç thuhet, por vetëm kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë, vetëm kundër atyre që janë bashkë për të thënë se në këtë vend gjithçka ka shkuar më keq se 8 vite më parë, ndërkohë që nëse ky vend sot është ngjitur deri në një pikë dhe ka shansin të ngjitet shumë më lart, do ndodhë sepse ne nuk jemi vetëm, por të bashkuar me ata që pavarësisht bindjeve të tyre politike, kanë një besim se jeta e tyre mund të behët më e mirë këtu duke punuar”, tha Rama.