Kryeministri Edi Rama e ka quajtur vitin e ri shkollor “Një epokë të re për celularët në shkolla”, pasi smartfonët nuk do të lejohen më në shkolla as për mësuesit, as për nxënësit.

“Ky vit do të jetë viti i një epoke të re për celularët në shkolla. Nuk do të lejojmë celulare në shkolla. As për fëmijët, as për mësuesit. Mësuesit do të duhet t’i dorëzojnë në fillim dhe t’i marrin në fund të mësimit. Muaji i parë do të jetë muaj edukimi, nga muaji i dytë celularët merren dhe hidhen në plehra, nuk i kthehen më atij që e ka sepse janë ndotës të rrezikshëm të mjedisit arsimor”, tha Rama gjatë një takimi me mësues këtë të premte.

Kreu i qeverisë nuk do të mjaftohet me kaq, pasi të njëjtën masë paralajmëron se do të nxjerrë së shpejti për të gjitha institucionet shtetërore, të cilat thotë se janë kthyer në klube interneti.

“Jam i bindur që ky do të jetë një ndryshim i madh, ndërkohë që ne po përgatitemi edhe për vendimin që të heqim celularët edhe nga institucionet e shtetit, që janë bërë si klube interneti të gjithë.”