Kryeministri Edi Rama po zhvillon online një mbledhje me disa prej ministrave, si titullarë të institucioneve që lidhen drejtpërdrejt me situatën që po kalon vendi nga koronavirusi.

Bëhet fjalë për ministrat Arben Ahmetaj, Anila Denaj, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj dhe Sandër Lleshaj.

Rama deklaroi se taksat dhe sigurimet do të paguhen që të mund t’i bëjmë ball luftës kundër COVID-19. Ai tha se kush nuk paguan drita nuk do ketë drita

“Taksat dhe sigurimet duhen paguar. Do paguhen sepse nuk shkojmë dot përpara me këtë luftë dhe do përfundojmë në një gropë ku as korona nuk na gjen dot. Pagesat e dritave do bëhen një për një. Kush nuk paguan drita nuk do ketë drita. Këtu nuk është bërë deti kos. Mos pagesa e dritave bëhet një efekt negativ në gjithë hallkat dhe mund të përfundojmë në kolaps. Pagesa e dritave nuk negociohet. Kush thotë se nuk kam mundësi se shpenzoj shumë, të shpenzojë më pak, të kursejë dritat dhe të paguajë më pak. Nuk mundet dot që ne të hyjmë në një situatë krize në sektorin e energjisë nga e para sepse implikimet janë të jashtëzakonshme.”