Kryeministri Edi Rama duke folur për rezultatet e Reformës në Drejtësi, tha se po sjell një pastrim rrënjësor dhe madhor të sistemit të kalbur.

Në Forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, Rama i dërgoi një tjetër mesazh të koduar prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, teksa tha se “disa prokurorë nuk po luajnë mirë”.

“Po punojmë shumë për Legjislacionin, se po jetojmë në një moment jetik, por edhe në kthesë dramatike sa i përket Reformës në Drejtësi që është shumë i qartë për të ardhmen që duam të kemi, por s’është një vend ku mund të bëjmë një gjumë të qetë për të tashmen se kemi procesin e Vetingut të gjyqtareve e prokurorëve, është proces shumë i vështirë dhe praktikisht po prodhon një situatë pastrimi rrënjësor dhe madhor në 180 raste që kanë kakuar vetingun 68 janë jashtë dhe po flas për nivele më të larta, kryeprokuror e kryegjyqtar. Kemi një sërë prokurorësh e gjyqtarësh që e dinë se nuk mund ta kalojnë Vettingun. Ata po luajnë sikur është vakti i fundit, pra nuk po luajnë mirë dhe duan që t’i kenë të gjitha. Ky proces i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presioni e dhune”, tha Rama.

Rama e ka akuzuar prokurorin Ndoja si të lidhur me bandat kriminale, ndërsa pak ditë më parë e paralajmëroi se nuk do t’i shpëtojë Reformës në Drejtësi, duke thënë se edhe nëse shkarkohet nga Vettingu, do të përballet sërish për të dhënë llogari për paratë e krimit.