Kryeministri Edi Rama, në një takim të zhvilluar në qytetin e Sarandës në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit sulmoi sërish Presidentin Ilir Meta.

Rama deklaroi se Meta është kandidati informal i opozitës në Vlorë teksa shtoi se Presidenti po bën fushatë skutave me persona subjekt i OFL-së dhe premton se do nxjerr njerëz nga burgu. Më tej kreu i qeverisë bëri fajtor Metën për bllokimin në aeroportin e Rinasit.

“Ilir Meta ka vendosur informalisht kandidaturën në Vlorë. Bën fushatë skutave me ata të OFL-së dhe premton se do të nxjerrë njerëzit nga burg. Është bërë me atë Leskon që është e keqja më e madhe e lumit të Vlorës. Janë mbledhur si një tufë hienash të nxitur medoemos për sa më shumë rrëmujë, konfuzion, deri aty ku e pamë të gjithë, tek nxitja e ndalimit të aktivitetit jetik të trafikut ajror. Një goditje e tillë çmendurakë mund të sillte për vendin një goditje të madhe në vaksinat, për të treguar që s’ ka më vaksina e deri tek bllokimi i arkivoleve për të ardhur e prehur në banesën e fundit në atdhe, ky është Ilir Meta sot, kandidati i opozitës në qarkun e Vlorës”, tha Rama.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij Rama komentoi listën e kandidatëve për deputetë të opozitës. “Nga ana tjetër, është e habitshme skuadra e opozitës në Vlorë së bashku me premtimin e tyre, do të shfuqizojmë ligjin e pronave. Ka një lidhje shumë të fortë me këtë qark ai personazh, ka letrat e pronave të grabitura me shantazhe, lidhje të shkurtra, me pushtetin e Saliut. Mijëra e mijëra hektarë. Mijëra e mijëra nga ato hektarët që njerëzit autoktonë të këtij bregdeti kanë hequr picirin për t’i marrë, e ndërkohë që hiqnin pancirin janë detyruar t’ia shesin zarbove të ardhur nga Tirana. E çuditërisht më pas shfaqeshin si pronarë emra që s’kanë lidhje me këtë trevë fare. Nuk ka asnjë mundësi, nuk ekziston që të prerisë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër”, tha Rama.