Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të enjte pas arrestimit të të paktën 13 personave dhe shpalljes në kërkim të 12 të tjerëve nën akuzën e evazionit fiskal.

Kreu i qeverisë tha se mesazhi është i qartë për të gjithë: “Mos luani me taksat se ju gjen belaja!”

“Ulja e taksave e lehtësimi tërësor i biznesit, synojnë dhe uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal! Arrestimi i një duzine shkelësish dhe shpallja në kërkim e një tufe tjetër nga biznesi i madh, për mashtrim me taksat, është mesazh i qartë: Mos luani me taksat se ju gjen belaja”, shkroi Rama në Twitter.

Në total janë lëshuar 25 urdhërndalime, për 25 personat që figurojnë administratorë të subjekteve të dyshuara fiktive që vepronin në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, e që kanë lëshuar fatura të falsifikuara për subjekte të treta, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 miliardë lekësh.