Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ngjitur në anijen ushtarake të Rojes Bregdetare shqiptare në Durrës së bashku me gjeneralin amerikan Tod D. Wolters dhe ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Pasi vizitës në anije, ata kanë shkëmbyer disa dhurata, ku Rama i ka dhuruar gjeneralit një pikturë dhe suvenir. Në këmbim gjenerali amerikan i dhuroi kreut të qeverisë një suvenir të vogël, në dukje një spilë.

Rama u shpreh i lumtur për këtë dhuratë dhe tha se do t’ia japë djalit të tij, Zahos. Gjenerali ofroi edhe ndihmën e tij për djalin e vogël të kryeministrit nëse ndonjëherë do që të fluturojë ndonjë avion.

“Nëse dëshiron që të fluturojë një avion luftarak ne do t’ia gjejmë një vend”, tha gjenerali

“Durrës – Nisja e stërvitjes “Defender Europe 21”

Në anijen ushtarake të Rojes Bregdetare shqiptare me gjeneralin amerikan T.D.Wolters, Komandanti Suprem i Aleancës së Atlantikut të Veriut, e me miq të tjerë”, shkruan Rama në Facebook.

Kujtojmë që sot filloi stërvitja e NATO-s në bashkëpunim me SHBA dhe vende të tjera aleate në Shqipëri “Defender Europe 21” ku marrin pjesë 28 mijë trupa nga shumë vende.