Kryeministri Edi Rama do të pritet me protesta në Durrës.

Ashtu siç ka ndodhur edhe në qytete të tjera të vendit, ku kreu i PS-së ka shkuar për të prezantuar kandidatët për kryetar bashkie, edhe në qytetin bregdetar takimi i Ramës do të paraprihet nga një protestë në orën 18:30.

Demokratë të Durrësit, por edhe qytetarë të tjerë do të mblidhen para selisë së PD lokale.

Prej më shumë se një jave, që nga krijimi i Aleancës Qytetare për mbrojtjen e demokracisë në çdo qytet të Shqipërisë, turet elektorale të kreut të qeverisë janë shoqëruar nga përplasje të forta mes mbështetësve të PD-së dhe efektivëve të policisë.

Përplasjet më të forta janë regjistruar në qytetet si Librazhd, Shkodër, Gjirokastër etj, ku nuk kanë munguar edhe të arrestuarit apo të proceduarit penalisht nga policia. 

Në mbledhjen e paraditës së sotme të kryedemokratit Lulzim Basha me partitë aleate u vendos përshkallëzimi i mëtejshëm i protestave në çdo cep të vendit deri në datën 30 qershor, datë kjo kur mazhoranca shprehet e vendosur për të zhvilluar procesin zgjedhor.