Sot kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën zyrtare në Itali. Rama zhvilloi në Bari një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm Italian, Luigi Di Maio dhe Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano.

Kryeministri në fjalë e tij vlerësoi ndihmën e Italisë për vendin tonë në 26 nëntor të vitit 2019, kur u godit nga tërmeti shkatërrimtar.

“Miqtë tanë italianë kanë qenë krah nesh në momentet më të vështira duke forcuar më tej miqësinë mes nesh. Kanë kaluar 30 vite që kur shqiptarët morën anijet për të arritur në anën tjetër të detit dhe në këto 30 vite kanë ndodhur shumë gjëra. Bujaria juaj nuk do të harrohet kurrë nga shqiptarët. Për Italinë, Shqipëria është thjesht ana tjetër e të njëjtit det. Për të thënë si u angazhua Luigi u bë avokati më i madh i popullit shqiptar në një moment shumë të errët, por jo vetëm në atë moment, gjatë gjithë udhëtimit të tij ka qenë një mik me “5 Yje” dhe unë uroj që të jemi në lartësinë e kësaj miqësie”– tha Rama.